Lajme

EIB, financim 40 milionë eurosh Bosnjë dhe Hercegovinës për përmirësimin e transportit


Banka Evropiane e Investimeve (EIB) do të financojë 40 milionë euro për rindërtimin e rrjetit të transportit urban në Kantonin e Sarajevës.

Nëpërmjet këtij financimi do të jepet mundësia e modernizimit dhe zgjerimit të rrjeteve të tramvajit e autobusëve. Do të zëvendësohen automjetet ekzistuese, si dhe do të ndërtohen linjat e tramvajit dhe shinave të reja.

Kryeqyteti i Bosnjë dhe Hercegovinës (BiH) dhe komunat përreth, në sajë të këtyre ndryshimeve, do të ketë më pak ndotje dhe trafik, si dhe rritje të ndjeshme të sigurisë së transportit.

Si rezultat, kjo do të ndihmojë në uljen e kohës së udhëtimit, emetimet e gazeve serë, nivelet e zhurmës dhe numrin e aksidenteve të trafikut në Kantonin e Sarajevës.

Projekti do të kontribuojë në përmbushjen e Strategjisë së Bashkimit Evropian (BE) për Ballkanin Perëndimor dhe qëllimet e veprimit klimatik të EIB-it për rajonin në lidhje me transportin e qëndrueshëm.

Nënkryetarja e EIB-së, e cila është përgjegjëse për Ballkanin Perëndimor, Lilyana Pavlova, tha se kriza e Covid-19 vendosi një përparësi të re për bankën dhe BE-në.

“Projekti do të kontribuojë në përmbushjen e Strategjisë së BE për Ballkanin Perëndimor dhe në zhvillimin e infrastrukturës më të pastër, moderne dhe efikase të transportit në të gjithë rajonin, për të mirën e njerëzve të saj dhe mjedisit”.

Ministri i Financave dhe Thesarit të BiH-së, Vjekoslav Bevanda, deklaroi se është nënshkruar edhe një kontratë tjetër e rëndësishme për projektin.

Në thelb të tij është përmirësimi i cilësisë së jetës për qytetarët në Kantonin e Sarajevës dhe të kontribuojë në mbrojtjen e mjedisit.

“Sarajeva vuan nga shumë probleme me transportin urban dhe bllokimet e trafikut, por edhe me ndotjen e ajrit, e cila është rezultat i të gjitha këtyre çështjeve. Ky është një ndër shumë pak projekte, që do të ndihmojnë në tejkalimin e këtyre vështirësive”.

Kreu i Delegacionit të BE-së dhe Përfaqësuesi Special i BE-së në BiH, ambasadori Johann Sattler, tha se lëvizshmëria urbane dhe transporti publik i qëndrueshëm dhe i gjelbër janë në krye të axhendës.

Deri më tani, EIB ka investuar 1.6 miliardë euro në modernizimin e infrastrukturës së transportit në BiH, duke kontribuar në një lidhje më të mirë të vendit me rajonin dhe BE-në.

Pjesa më e madhe e këtyre fondeve u caktua në Korridorin V, i cili është një nga investimet më të rëndësishme rajonale për EIB.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore