Lajme

Egjipti liron gazetarin e “Al Jazeera-s” pas 4 vitesh


Media të ndryshme dhe burime të të drejtave të njeriut në Egjipt dhe Katar kanë raportuar mbrëmjen e së enjtes, më 4 shkurt, lirimin e gazetarit të medias “Al Jazeera”, Mahmoud Hussein. Kujtojmë se Hussein-i u arrestua në fund të vitit 2016-të, duke u kthyer nga Katari për në shtëpinë e tij në Egjipt.

Autoritetet egjiptiane e akuzuan atë për “përkatësinë në një grup të jashtëligjshëm” dhe për “përhapjen e lajmeve të rreme”, të cilat sipas tyre synonin destabilizimin e vendit.

Mes deklaratave të veçanta, gazetarët e Al Jazeera, Jamal dhe Sarah Raafat, gazetari Hossam El Shorbagy dhe aktivisti i të drejtave të njeriut Gamal Eid, raportuan lirimin e Hussein-it. Një gazetar tjetër shkroi në median sociale “Twitter”, se autoritetet egjiptiane kanë liruar Mahmoud Hussein,  gazetar për Al Jazeera-n, pas një ndalimi administrativ, i cili zgjati më shumë se katër vjet.

Në krahun tjetër, Observatori Egjiptian për Gazetari dhe Media, në një deklaratë në median sociale “Facebook”, tha se Gjykata Penale e Kajros vendosi të lirojë të hënën Husein-in me masa paraprake, në pritje të hetimeve. Gjithashtu, portali i lajmeve i opozitës egjiptiane, “Darb”, konfirmoi lirimin e tij.

Akoma nuk ka pasur një reagim mbi raportet e nxjerra për Hussein-in, nga kanali televiziv “Al Jazeera”, apo familja e Hussein-it.

Kujtojmë se “Al Jazeera” u ndalua zyrtarisht në Egjipt pas një grushti shteti ushtarak në vitin 2013-të kundër Mohamed Morsi-t, presidentit të parë të vendit, i zgjedhur në mënyrë demokratike.

Arrestimi Hussein-it

Mahmoud Hussein është një gazetar i vjetër në “Al Jazeera”, me origjinë egjiptiane. Ai u arrestua menjëherë pas mbërritjes së tij në Egjipt më 20 dhjetor të vitit 2016-të, ndërsa ishte për një vizitë personale. Ai është burgosur ilegalisht nga autoritetet egjiptiane që nga muaji dhjetor i 2016-ës. Ai ka vuajtuar një dënim prej katër vitesh. Detajet e arrestimit të tij kanë mbetur të dyshimta. Akoma nuk ka akuza zyrtare. Në maj të 2019-s, një gjykatë egjiptiane hodhi poshtë një urdhër të prokurorit të shtetit për lirimin e tij. Autoritetet hapën një hetim të ri kundra tij me akuza të paspecifikuara dhe e kthyen atë në burg.

Autoritetet egjiptiane

Autoritetet hapën një hetim të ri kundra tij me akuza të paspecifikuara dhe e kthyen atë në burg. Ndërsa ishte në izolim, Hussein-i pësoi një thyerje të krahut. Atij iu refuzua trajtimi i duhur mjekësor. Kërkesa e tij për të vizituar babanë e tij, Hussein Jumaa-n, i cili ishte në spital në një gjendje kritike, gjithashtu u refuzua nga drejtori i burgut. I ati i tij, Jumaa, kishte pësuar pesë goditje, që kur djali i tij i madh Huseini u arrestua. Ai vdiq në nëntor.

“Askush nuk iu përgjigj thirrjeve tona për dy muaj kur ne kërkuam që babai im të lejohej të shihte babanë e tij të sëmurë për vetëm një orë,” shkroi vajza e Husseini-t, Zahraa, në një postim në median sociale “Facebook”.

Al Jazeera

Media “Al Jazeera” vazhdimisht ka mohuar akuzat e ngritura kundër Hussein-it dhe ka bërë thirrje për lirimin e tij. Kodi penal i Egjiptit përcakton një periudhë maksimale të paraburgimit prej 620 ditësh për individët që hetohen për një krim. Barbara Trionfi, Drejtoreshë në Institutin Ndërkombëtar të Shtypit (IPI) tha se arrestimi i Husein-it është zgjatur vazhdimisht dhe në mënyrë të paligjshme nga autoritetet egjiptiane për tre vjet. Ajo shtoi se situata e tij ishte kundër ligjit ndërkombëtar dhe egjiptian.

Arrestime të tjera

Po atë vit, Egjipti arrestoi dhe burgosi ​​më vonë gazetarët Abdullah Elshamy, Baher Mohamed, Mohamed Fahmy dhe Peter Greste të Al Jazeera me akuzat e përhapjes së “lajmeve të rreme”. Këto raste u dënuan gjerësisht nga mediat ndërkombëtare dhe shumë politikanë. Që atëherë të gjithë janë liruar. Karim Ennarah, Drejtori i Drejtësisë Penale në Nismën Egjiptiane për të Drejtat Personale (EIPR), u arrestua ndërsa ishte me pushime në Dahab. Amnistia Ndërkombëtare (AI) e dënoi e dënoi me forcë arrestimin e Karim Ennarah. Nën prangat e forcave të sigurisë ra edhe menaxheri i zyrës së organizatës, Mohammed Basheer. Akuzat ndaj tyre kishin të bënin me  “bashkimin me grupe terroriste” dhe “përhapjen e lajmeve të rreme”.

Egjipti ishte një nga vendet arabe që ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Katarin në qershor 2017-ës , duke e akuzuar atë, ndër të tjera, për mbështetjen e Vëllazërisë Myslimane , të cilën Kajro e ka përshkruar si një organizatë “terroriste”. Grupi islamist, u shpall i jashtëligjishëm në Egjipt. Kjo ndodhi pasi drejtuesi i ushtrisë, Abdel Fattah al-Sisi udhëhoqi përmbysjen e Mohamed Mursi-t në 2013. Organizata e Vëllazërisë Muslimane u themelua nga Hassan al-Banna në mars të vitit 1928-të në qytetin Ismailia në lindje të Egjiptit, si një shoqatë civile. Gjatë historisë, organizata është ndëshkuar shumë herë, ndërsa është shpallur “terroriste” në Egjipt, pasi presidenti i parë i zgjedhur në mënyrë demokratike, Mohammed Morsi, është larguar nga detyra në vitin 2013-të me një grusht shteti ushtarak.

Pjesa më e madhe e udhëheqjes së lartë të Vëllazërisë Myslimane u burgos në Egjipt. Anëtarët e tjerë u arratisën në Katar ose në Turqi.

Marrëdhëniet midis dy vendeve u rivendosën në 20 janar, 2021.

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore