Shqipëria

Efekti financiar i reformës së rritjes së pagave shkon 39 miliardë lekë, thotë Ibrahimaj


Ministrja e Ekonomisë Delina Ibrahimaj ka prezantuar në Kuvend reformën e rritjes së pagave.

Ajo ka thënë se efekti financiar do të jetë 39 miliard lekë.

“Reforma që sjellim sot do t’i vërë kapakun rritjes së pagave”, ka theksuar ministrja.

Sipas saj, pjesa e paketës parashikon indeksimin e normës së inflacionit.

“Kjo është një reformë që ekonomia na e mundëson. Sot kemi pagë minimale në nivelin 40 mijë lekë, në vitin 2013 ishte 22 mijë lekë. Ne kemi hapësirën për të përballuar rritjen e pagave”, ka vijuar ajo.

Synimi, sipas ministres, është të krijohet një piramidë e pagave.

“Ne synojmë të përmirësojmë hierarkinë e pagave. Efekti financiar i kësaj reforme është 39 miliard lekë. Janë mbi 130 mijë punonjës, të cilët do të përfitojnë nga kjo reformë”, ka treguar Ibrahimaj.

Sakaq, Kuvendi i Shqipërisë e ka futur menjëherë në rendin e ditës ligjin e ri të rritjes së pagave, pas debateve të vazhdueshme që ka pasur në komisionet parlamentare – kryesisht atë të ekonomisë – lidhur me situatën.

Në tërësi, pritet që përmes këtij ligji të rriten pagat e 130 mijë punonjësve të administratës publike, duke shkuar drejt një objektivi të pagës mesatare prej 900 eurosh, siç është premtuar nga kryeministri Edi Rama brenda dy vjetëve.

Mirëpo, pjesa që ka ngjallur më së shumti debate, është fakti se së bashku me administratën, rrogat pritet të rriten edhe për deputetët dhe ministrat.

Fillimisht, Qeveria parashikoi që kjo rritje të kryhej më vonë.

Por, komisioni, e bllokoi projektligjin në diskutime, duke argumentuar se deputetët dhe ministrat duhet të jenë menjëherë pjesë e rritjes.

Akordi u arrit më 23 maj, pas diskutimeve të shumta, duke parashikuar jo vetëm rritje, por dyfishim të pagës së deputetëve, gjë që nxiti reagime nga shoqëria civile.

Një protestë, ndërkohë që seanca e Kuvendit zhvillohet, po e mban edhe Lëvizja Bashkë, me në krye aktivistin Arlind Qori, i cili kandidoi në Tiranë në vendoret e 14 majit dhe u radhit i treti në zgjedhjet për kryetar bashkie.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore