Lajme

Edward Snowden betohet për besnikëri ndaj Rusisë dhe merr pasaportën ruse


Edward Snowden, një ish-kontraktor i Agjencisë Kombëtare të Sigurisë amerikane, i cili zbuloi informacione rreth programeve të vëzhgimit të SHBA-ve, u betua për besnikëri ndaj Rusisë dhe ka marrë pasaportën e tij ruse.

Kështu njoftoi për mediat avokati i tij Anatoly Kucherena, i cili shtoi se sipas Kushtetutës së Rusisë, Snowden nuk mund të ekstradohet më në një shtet të huaj.

Snowden, 39 vjeç, kërkohet nga Washingtoni zyrtar, i cili e ka akuzuar për spiunazh.

Është e paqartë nëse Snowden u betua për besnikëri në të njëjtën kohë kur iu dha një pasaportë, por të dyja janë procedura të zakonshme kur të huajt bëhen shtetas rusë.

Teksti përfshin betimin “për të mbrojtur lirinë dhe pavarësinë e Federatës Ruse, për të qenë besnik ndaj Rusisë, për të respektuar kulturën, historinë dhe traditat e saj” dhe për të premtuar “të kryejë detyrat e një qytetari të Federatës Ruse për të mirën e shtetit dhe shoqërisë”.

Kucherena shtoi se gruaja e Snowden, Lindsay Mills, po i nënshtrohej gjithashtu procesit të aplikimit për shtetësinë ruse dhe se fëmijët e çiftit ka të ngjarë të ndiqnin shkollat ruse, kur të ishin gati.

Ai tha se komunikonte kryesisht në anglisht me klientin e tij, por se Snowden flet gjithashtu rusisht, megjithëse “jo në mënyrë perfekte”.

Presidenti rus Vladimir Putin i dha Snowden shtetësinë në shtator, në një dekret që mbulonte 72 të huaj.

Putini i ka quajtur më parë veprimet e Snowden të gabuara, por tha se ai “nuk është tradhtar”, pasi “ai nuk tradhtoi interesat e vendit të tij”.

Snowden-it iu dha azil në Rusi në vitin 2013 pasi u arratis nga Shtetet e Bashkuara për të shmangur ndjekjen penale.

Atij iu dha leja e qëndrimit të përhershëm në vitin 2020 dhe avokatët e tij thanë në atë kohë se ai po aplikonte për të marrë një pasaportë ruse pa hequr dorë nga shtetësia e tij amerikane.

Ai e shpjegoi vendimin e tij për të kërkuar shtetësinë e dyfishtë në Twitter në 2020 si të domosdoshëm për të parandaluar ndarjen nga djali i tij.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore