Shqipëria

Edukimi financiar është prioritet në Shqipëri, sipas Sejkos


E hëna e 20 marsit sheh edhe nisjen e Javës Botërore të Parasë, ku një sërë aktivitetesh janë të programuara të ndodhin edhe në Shqipëri.

Ndër më kryesoret prej tyre, janë ato të edukimit financiar, i cili sipas guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, është një prioritet i padiskutueshëm në vend.

“Kemi një përdorim më të madh jo vetëm të llogarive bankare, por edhe të produkteve bankare”, përkufizoi fillimisht Sejko, duke bërë me dije se 70% e popullatës sot, ka të paktën një llogari bankare.

Lidhur me këtë, ai ravijëzoi se aktivitetet sa i takojnë edukimit financiar do të zhvillohen përgjatë gjithë kursit javor dhe do të jenë të angazhuara edhe institucionet arsimore në vend.

Një gjë të tillë, e ka mbështetur edhe ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, e cila ishte pjesëmarrëse në prezantimin e aktiviteteve nga Banka e Shqipërisë.

Bankat e nivelit të dytë, do të përfshihen po ashtu në këtë investim edukativ, për të kontribuuar në rritjen e nivelit të edukimit financiar në gjithë vendin.

Po ashtu, sipas guvernatorit, kuota e popullatës, e cila ka në disponim një llogari bankare, është në nivele më të mira të krahasuara me periudhat e mëparshme, duke sjellë edhe shtim të shërbimeve përmes kartave bankare dhe shtim të pagesave që kryhen përmes tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore