Shqipëria

Edisoni, nxënësi që s’bën mësim online


Fshati Kllogjen ndodhet në qarkun e Shkodrës, njësia administrative Temal, buzë lumit Drin. Për të shkuar atje, duhet të nisesh nga Komani me anije. Lundrimi zgjat afërsisht një orë e gjysëm.

Zona është malore, me klimë të ftohtë dhe shumë reshje.

Në të gjithë fshatin jetojnë rreth 10 familje, shtëpitë e të cilëve ndodhen larg njëra tjetrës.

                                                   

Një nga banorët e zonës është edhe Edisoni,13 vjeçar, familja e të cilit merret me bujqësi. Ai jeton në të njejtën kullë që e kishin të trashëguar breza me rradhë.

Kur e takova, ishte natë vere dhe ai sapo kishte mbaruar punët që i ishin caktuar. U afrua dhe na ndihmoi të ndiznim zjarrin.

Dëshira për të ndenjur me të rriturit dhe për të dëgjuar çfarë flisnim, sikur ia kishte tretur gjumin. Nganjëherë qeshte, por shumicën e kohës qëndronte me sy nga folësi dhe e vrojtonte.

Ishte ulur në një trung peme të sharruar, me brrylat tek gjunjtë dhe duart e bëra grusht ku mbështeste mjekrën.

Për ta bërë pjesë të bisedës, e pyeta për përditshmërinë e tij, për shkollën dhe për shoqërinë.

Më pa, u drejtua dhe më tha që ishte në klasën e shtatë. Shkollën e bënte në fshat dhe në klasë ishin vetëm tre veta.  Shkolla kishte gjithsej shtatë nxënës.

“Mësuesit vijnë nga Shkodra. Ka raste që s’bëjmë mësim me javë të tëra, sidomos kur bie borë apo kur ka reshje të mëdha shiu, gjë që veshtirëson lundrimin”.

Tani që mësimi jepej online, as që e kishte patur mundësinë për ndjekur. Mungesa e infrasktrukturës dhe e pajisjeve teknologjike, kishte ndikuar direkt tek Edisoni.

“Këtu nuk ka valë që të komunokoj me anë të Zoom-it apo të dërgoj fotot e detyrave”, tha ai. “Një apo dy herë në javë, më telefonon mësuesi dhe më shpjegon mësimet, por kam vështirësi në të kuptuar dhe shpesh herë shkëputet zëri. Sidomos kur ka shira të rrëmbyeshëm, komunikimi bëhet i pamundur”, vazhdoi ai.

Ngrihej që menatë, merrte ushqimin me vete dhe dilte malit te mblidhte lule apo bimë, te cilat kishin vlerë në treg.

“Kur nuk shkoj në shkollë, dal në mal me motrën, mbledhim çaj apo bimë të tjera mjekësore”, më tha Edisoni.

Ndërkohë që Ministria e Arsimit nxirrte shifra se 96% e nxënësve ndjekin mësimin online, jo për fajin e tij, Edisoni bënte pjesë tek 4% për të cilin mësimi online ishte i pamundur./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore