Sport

Edicioni i parë i Ligës së Konferencës në “makthin e fundit” të huliganëve


Çështja e huliganëve është e pazakontë dhe praktikisht mbetet një terren i panjohur për autoritetet shqiptare.

Kjo u provua në vigjilje të sfidës mes ekipit të Roterdam-it, “Feyenoord” dhe kryeqytetasve italian të “Roma-s”.

Por, pamjet e rënda dhe përplasjet e forta mes palëve nuk ishin të paparalajmëruara.

Sezoni futbollistik që po lëmë pas ka rikthyer skenat e shëmtuara të dhunës, brenda dhe jashtë fushës së gjelbërt.

Deri në 100 mijë tifozë pritet të udhëtojnë drejt Tiranës.

Kjo, pavarësisht se secilit klub i janë ndarë vetëm 4 mijë bileta për finalen inauguruese të turneut evropian.

Feyenoord dhe Roma janë klube të njohura me baza tradicionale dhe të mëdha tifozësh.

Sakaq, mes tyre mbeten elementë famëkeq të dhunshëm.

Finalja e Tiranës do të luhet vetëm disa ditë pas një fundjave dhune.

Përleshje

Përleshjet dhe gazi lotsjellës prishën finalen e Kupës së Greqisë të shtunën.

Në Kroaci, policia dhe tifozët e Hajduk Split-it u përleshën në një autostradë kryesore më vonë të shtunën.

Të dielën, Manchester City kërkoi falje për atë që e përshkroi si një sulm ndaj portierit të Aston Villa, Robin Olsen.

Kjo, gjatë një pushtimi në fushë nga tifozët e City-t të cilët festonin titullin e klubit në Premier League.

Diku tjetër, mbështetësit e klubeve italiane Spezia dhe Napoli luftuan me shkopinj në stadium.

Huliganët e Feyenoord-it raportohet se ishin në mesin e atyre që u përleshën rëndë me policinë në Roterdam gjatë një trazire të nëntorit kundër kufizimeve të COVID-19.

Ka pasur pushtime të shumta në fushë dhe përleshje brenda stadiumeve në vende të tilla si Zvicra, Holanda dhe Sllovakia.

Përsëritje

Qindra tifozë të Feyenoord u përfshinë në përleshje të furishme me homologët e tyre të Marseille-s përpara ndeshjes së kthimit të takimit të tyre gjysmëfinal.

Mbështetësit e Marseille-s madje lavdëruan Feyenoord-in në një forum në Twitter.

Kjo, për mbërritjen e tyre pa asnjë mbrojtje policore.

Shumë tifozë të Feyenoord-it mbërritën pa bileta në Marseille për ndeshjen e 5 majit, duke e bërë më të vështirë punën e policisë.

Ka pasur përplasje në Gjermani po atë natë në gjysmëfinalen e Europa League mes Eintracht Frankfurt dhe West Ham.

Dhuna ndodh shpesh një natë para ndeshjeve, kur ka më pak polici përreth, pastaj vazhdon pasi vijnë më shumë tifozë.

Më 18 maj, pati skena tronditëse në qendrën e qytetit të Sevilla-s kur Frankfurt u përball me klubin skocez Rangers.

Disa qindra tifozë të Frankfurt-it sulmuan disa dhjetëra mbështetës të Rangers jashtë një lokali.

E kaluara

Sulmi i Frankfurt-it shkeli kodet e “heshtura” mes ultras-ve dhe huliganëve, ku tifozët e dhunshëm supozohet se vetëm luftojnë me njëri-tjetrin.

Në këtë drejtim, klubet e Romës kanë fituar një reputacion famëkeq.

Ekziston gjithashtu një “histori e pasqaruar” mes Feyenoord-it dhe Roma-s pas ngjarjeve në vitin 2015.

Kohë kur tifozët e Feyenoord u përleshën me policinë italiane dhe dëmtuan një shatërvan historik.

Ultras-it e fortë të Romës numërojnë rreth 200 anëtarë dhe huliganët e Feyenoord-it me sa duket i kanë vënë sytë tek ata.

Ultras-it e Romës paralajmëruan shokët e tyre që të vijnë në Tiranë duke vendosur një shënim në sedilje përpara ndeshjes së fundit të skuadrës në Serie A në shtëpi kundër Venezias.

“Ne kemi një takim me Historinë dhe duhet ta respektojmë atë. Udhëtimi drejt Tiranës duhet trajtuar me drejtësi brenda dhe jashtë stadiumit”, thuhet në letër.

Ministri i Brendshëm shqiptar Bledi Çuçi deklaroi më herët se autoritetet i kanë marrë të gjitha masat për të parandaluar një gjë të tillë.

“Ne do të marrim masa për të parandaluar çdo akt dhune apo çdo nxitës dhune në mënyrë që (situata) të mos degradojë”, theksoi ai para një nate të dhunshme në kryeqytet.

Edicioni i parë i finales së Konferencës së Europa League rrezikon të kthehet në makthin e fundit e huliganëve.

Kjo plagë nuk administrohet, nuk menaxhohet, e aq më tepër të shërohet.

Fitoftë më i miri në fushë, e jo më i dhunshmi jashtë saj!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore