Shqipëria

“Edi Rama është në ofensivë për të çmontuar raportin e Dick Marty’t”


Valon Murati dhe Edi Rama

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, sipas kryetarit për Lëvizje për Bashkim, Valon Murati, që nga vera e këtij viti është në ofensivë për të çmontuar politikisht dhe juridikisht Raportin e Dick Martyt, i cili ka qenë premisë direkte edhe e ngjizjes së Gjykatës Speciale dhe e cila ka çuar për gjykim në Hagë ish-drejtuesit e lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sipas tij beteja e Ramës është në përputhje me kontekstin aktual gjeopolitik.

“Nuk ka diçka më shqiptare dhe njëkohësisht njerëzore në betejën me politikën shoviniste serbe dhe atë ruse sesa rehabilitimi i karakterit të luftës çlirimtare të UÇK-së e cila është baza mbi të cilën është ndërtuar liria e Kosovës”, ka shkruar Murati në rrjetin e tij social në Facebook.

Për Muratin është për të ardhur keq fakti se si diplomacia kosovare po tregon një impotencë dhe smirë të pakuptueshme ndaj nismës së Edi Ramës.

“Historia një ditë do të qesh e qaj me këtë mentalitet provincial që mendon se atdheu dhe bota fillon dhe përfundon në mëhallën tënde”, ka shkruar më tej ai.

Edi Rama në Këshillin e Evropës

Rama ka adresuar të mërkurën e 12 tetori, përpara anëtarëve të Këshillit të Evropës, rezolutën kundër raportit të Dick Marty-t me titull “Trajtimi çnjerëzor i njerëzve dhe trafikimi i organeve në Kosovë”.

Kryeministri shqiptar Edi Rama i ka konsideruar pretendimet e ish-prokurores Carla del Ponte për krimet e lufës të kryera nga UÇK-ja, si lajmi më i tmerrshëm i rremë.

Lajmi u bë i ditur gjatë fjalës së kreut të qeverisë në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Evropës.

“Jam sot në 2022 këtu. Jo sepse ne zbuluam sot se ishte lajmi më i tmerrshëm i rremë, por sepse pritëm me durim derisa pamë akuzën zyrtare”, deklaroi Rama.

Sipas tij, pretendimet e Ponte-s se luftëtarët e UÇK-së kanë bërë trafik organesh, janë të bazuara në burime të dyshimta.

“Më pak se një dekadë pas ndërhyrjes së NATO-s, Carla del Ponte botoi një libër kujtimesh”, u shpreh fillimisht Rama.

Ajo pretendonte se krime të tmerrshme ishin kryer nga drejtuesit e UCK-së, përfshirë mbi të gjitha trafikimin e organeve njerëzore, shtoi ai.

Rama vëren se libri natyrshëm shkaktoi më pas valë tronditje në të gjithë botën.

“Kjo akuzë zuri faqet e para nga Evropa në Australi. Pavarësisht faktit se akuzat u mohuan kategorikisht në Kosovë. Pyetja më misterioze ishte se çfarë e ndaloi një prokurore të pushtetshme për të investiguar më tej”, pyet kryeministri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore