Shqipëria

Edi “brenda Evropës së re” politike


Me propozimin e Emmanuel Macron, shtetet evropiane do të mblidhen me shpresën se do t’i japin jetë një nisme të re me emrin Komuniteti Politik Evropian.

Emri është i ri, por jo ideja. Madje, nuk ndryshon as arsyeja, as qëllimi dhe as autori.

Një tjetër francez, René Pleven, 72 vjet më parë, i prezantoi Gjermanisë Perëndimore, Italisë, Belgjikës, Holandës dhe Luksemburgut themelimin e Komunitetit Evropian të Mbrojtjes.

Traktati ndër të tjera parashihte një koordinim më të madh në sferën politike përtej asaj ekonomike dhe gjithashtu formimin e një ushtrie të përbashkët.

Fuqia ushtarake e Bashkimit Sovjetik e frikësonte Evropën Perëndimore, veçanërisht pasi vinte nga një përvojë shkatërruese me Adolf Hitlerin.

Ndryshe nga organizmat e tjerë të komunitetit evropian që po lindte, ky i Mbrojtjes së përbashkët nuk u jetësua kurrë.

Ishte pikërisht Asambleja Nacionale e Francës që refuzoi ta ratifikojë marrëveshjen dhe gjithçka mbeti një dëshirë.

Edhe vetë, Jean Monnet, një nga etërit themelues të Unionit, do të deklaronte se “rruga drejt unitetit evropian shkon më shumë kah bashkëpunimit ekonomik”.

Shtatë dekada më vonë do tregonin se frika nga fuqia ushtarake e Bashkimit Sovjetik ishte racionale.

Nën emërtimin e ri si Federatë Ruse, ajo frikë ka marrë formën e një sulmi ushtarak në Ukrainë, një shteti evropian.

Tani Macron dëshiron të përfundojë atë që kishte nisur bashkëkombësi i tij Pleven, por konteksti ka ndryshuar shumë, sidomos për shqiptarët.

Derisa në vitet 70-ta Shqipëria kishte shkëputur marrëdhëniet edhe me Zotin dhe po provonte eksperimentin më pervers politik të mbylljes totale me idenë e vetëmjaftueshmërisë, sot, në mesin e 44 liderëve shtetërorë që do të marrin pjesë në takimin e Pragës në Komunitetin Politik Evropian, një nga pesë folësit e vetëm do të jetë kryeministri i Shqipërisë.

Ai është përzgjedhur si lider në mesin e 17 liderëve të vendeve që nuk janë pjesë e Bashkimit Evropian, për t’iu drejtuar të pranishmëve në Samit. I vetmi nga Ballkani Perëndimor.

Pos tij, fjalën do ta kenë vetëm edhe liderë si kryeministrja Liz Truss e Britanisë së Madhe, homologu norvegjez, Ghar Store, presidenti Ukrainas, Volodymyr Zelensky dhe kryeministri çek Fiala, për fjalimin përshëndetës.

Evropa e ka kuptuar se divergjencat mes shteteve-kombe dhe “privilegji” i të ruajturit autonominë si shtete të vetme tashmë ka humbur kuptim në realitetin e ri global dhe Shqipëria fatmirësisht gjendet në një pozitë të avancuar brenda këtij rendi të ri botëror.

Është dashur agresioni i Putin-it dhe forca e lidershipit të tij për të përballur autoritetet evropiane me mungesën e tyre të një lidershipi mbinacional.

Dhe Shqipëria si vend i privilegjuar në Ballkan do të jetë në panelin kryesor të rrugëtimit për një Evropë politike.

Në organizime të këtij niveli asgjë nuk ndodh rastësisht, ose për hatër.

Gjithçka është mesazh i artikuluar dhe pozicionim i menduar.

Evropa po provon të përfundojë atë që kishte nisur 70 vjet më parë dhe Shqipëria nuk është një eksperiment për studiuesit e shkencave politike në periferinë e botës, por një nga zërat qendror brenda riorganizimit politik të evropianëve.

Evropa po detyrohet të ndryshojë dhe përkundër përkushtimeve për identitetet nacional dhe kulturën kombëtare mungesa e një “demosi” nuk mund të shihet më si provë e pamundësisë për të krijuar një komunitet politik të përbashkët evropian.

Në BE e kanë kuptuar se ekzistenca e një komuniteti politik evropian është parakusht për legjitimitetin e kërkesave politike (inputet) dhe zgjidhjen e problemeve nga institucionet (outputet) të drejtuara si kërkesa fillimisht nga qytetarët.

Nisma e re megjithatë nuk është një hap final, por një hap i parë dhe suksesi i saj mund të diskutohet, sepse tentativat me qëllim përmirësimin jo gjithmonë e kanë pasur edhe efektin e njëjtë sikur qëllimin, por e padiskutueshme mbetet rëndësia e jashtëzakonshme dhe momenti historik i 6 tetorit, kur kryeministri i shqiptarëve merr fjalën para Evropës në Pragë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore