Auto

Edhe Xiaomi në tregun e makinave elektrike


Xiaomi, kompania kineze e elektronikës, kthehet në firmën e fundit të teknologjisë që përfshihet në tregun e makinave elektrike duke premtuar 10 miliardë dollarë në kuadër të nismës për dekadën e ardhshme.

E përditshmja, The Wall Street journal, zbulon se Lei Jun, shefi ekzekutiv i Xiaomi-t, do të jetë personi përgjegjës për drejtimin e degës së re të pavarur që përqendrohet te automjetet elektrike.

Në fillim, kompania do të investojë 1.5 miliardë dollarë për të nisur biznesin e saj të ri duke zgjeruar më pas investimet në zgjerimin e tij gjatë viteve të ardhshme.

Kjo lëvizje e Xiaomi-t e kthen atë në një nga kompanitë më të njohura kineze të teknologjisë që i bashkohet një tregu tejet konkurrues.

The Wall Street Journal tregon se njohja e gjerë që ka kompania mund t’i japë asaj avantazh ndaj rivalëve, mirëpo edhe pengesat e hyrjes në këtë treg janë me rëndësi dhe nuk duhen anashkaluar.

Lei ka deklaruar se futja e kompanisë në tregun e automjeteve elektrike është menduar për muaj të tërë me bordin e kompanisë dhe u vendos që ky hap të realizohej me besimin për të ecur përpara.

“Ne kemi grumbulluar shumë mençuri dhe përvojë prandaj është koha që të provojmë”, ka thënë ai duke mos dhënë detaje të shumta se kur do të dalë në treg makina elektrike apo nëse ishte regjistruar një prodhues i jashtëm për këtë përpjekje.

Për sa i përket tregut të automjeteve elektrike në Kinë, ai rezulton të ketë shitjet me ritmet më të larta.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore