Aplikacione

Edhe WhatsApp-i me komunitete të zgjeruara përdoruesish


Në WhatsApp, koncepti i mesazheve në grup po zgjerohet ndjeshëm.

Edhe përpara se ta merrte në pronësi Facebook-u, platforma ka qenë kryesisht për mesazhet mes njerëzve të njohur.

Prandaj dhe përvoja konsiderohet intime. Nevojitet numri i dikujt për t’i shtuar dhe bisedat në grup janë të kufizuara në 256 pjesëmarrës.

Por një përvojë e re që do të shfaqet në një numër të vogël grupesh të zgjedhura, do të lejojë mijëra përdorues të marrin pjesë në një Komunitet që pret biseda të shumëfishta nëngrupesh.

Çka pritet të ndihmojë organizata të ndryshme, pjesëtarët e të cilave të komunikojnë në WhatsApp, të organizojnë më lehtë diskutime dhe t’i bëjnë administratorët e tyre tu dërgojnë mesazhe të gjithëve nëpër grupe të ndryshme.

“Kemi dëgjuar gjithnjë e më shumë nga organizatat që përdorin WhatsApp-in për komunikimet e tyre private”, ka thënë kreu i WhatsApp-it, Will Cathcart.

“Mendojmë se është koha për të filluar ndërtimin me qëllim për ato raste përdorimi sepse ka shumë që mund të bëjmë për ta përmirësuar atë”, ka shtuar ai.

Meqë komunitetet e bëjnë më të lehtë përhapjen e shpejtë të informacionit përmes aplikacionit të koduar, WhatsApp-i po bën që mesazhet e përcjella më shumë se një herë të mund të dërgohen vetëm te një grup në të njëjtën kohë.

Kjo, në vend të kufirit të mëparshëm prej pesë.

Lëvizja është krijuar për të penguar përhapjen e postimeve potencialisht të dëmshme, si mesazhet e padëshiruara dhe përmbajtjet e paligjshme.

Komunitetet e WhatsApp-it kanë disa dallime kyçe nga kanalet Telegram apo edhe me Discord.

Te ato, veç administratorët mund të transmetojnë në një komunitet të tërë në WhatsApp, ndërsa anëtarët janë të kufizuar në nëngrupet ku janë.

Po ashtu WhatsApp-i nuk do të lejojë që komunitetet të jenë të zbulueshme përmes kërkimit ose rekomandimit nga një algoritëm.

Pasi përdoruesi bëhet pjesë e tij, numri i telefonit do të fshihet përveçse për administratorët dhe njerëzit me të cilët është në një nëngrup specifik.

Ndryshe nga Telegram-i, të gjitha komunikimet midis njerëzve në një komunitet janë të koduara. Kurse emri dhe përshkrimi i një komuniteti jo.

Sipas Cathcart, WhatsApp-i ende po zbulon detajet se si do të funksionojnë komunitetet bazuar në reagimet nga testuesit e hershëm që janë ftuar ta provojnë.

Nga ana tjetër, WhatsApp-i po shton disa veçori të tjera të reja.

Edhe nëse nuk janë në një komunitet, administratorët e grupit do të mund të fshijnë mesazhe nga një bashkëbisedim për të gjithë.

Përdoruesit do të jenë në gjendje të ndajnë skedarë me madhësi deri në dy gigabajt, të nisin thirrje zanore me deri në 32 persona në të njëjtën kohë dhe të reagojnë ndaj një mesazhi me emoji.

Paçka se këto komunitete po vihen ngadalë në dispozicion, ato po shënojnë qartë një kapitull të ri për kompaninë.

“Po planifikojmë të punojmë në këtë hapësirë për një kohë të gjatë”, ka thënë Cathcart.

“Një pjesë e arsyes pse duam të flasim për këtë si një vizion dhe një drejtim është që mendojmë se do të ketë shumë përditësime në vijim”, ka shtuar ai.

 

Marrë nga “The Verge”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore