Sport

Edhe tre sportistë nga Kosova marrin pjesë në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”


Notarët, Eda Zeqiri dhe Olt Kondirolli, si dhe Atleti Musa Hajdari, kanë marrë ftesë për të përfaqësuar Kosovën në Lojërat Olimpike “Tokyo 2020” që do të fillojnë më 23 korrik.

Eda Zeqiri dhe Olt Kondirolli do të përfaqësojnë Kosovën përmes sportit të notit në Tokio.

Të dy notarët janë ftuar nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar dhe Federata Ndërkombëtare e Notit, sipas vendeve të Univerzalitetit, vende këto që janë të rezervuara për sportet e notit dhe atletikës.

Zeqiri do të garojë në disiplinën 400 metra stil i lirë, ndërsa Kondirolli në 100 metra stil i lirë.

Në ftesën dërguar Komitetit Olimpik të Kosovës dhe Federatës së Notit të Kosovës nga Federata Ndërkombëtare e Notit (FINA), thuhet se të dy notarët janë renditur më së larti nga garuesit kosovarë në renditjen e pikëve të FINA-s.

Gjithashtu edhe Musa Hajdari do të përfaqësojë Kosovën në sportin e atletikës në Lojërat Olimpike.

Për Hajdarin, kjo do të jetë pjesëmarrja e dytë në Lojërat Olimpike, pas atyre të Rios në vitin 2016.

Musa Hajdai do të garojë në disiplinën vrapim në 800 metra.

Komiteti Olimpik i Kosovës momentalisht ka 11 sportistë të konfirmuar, prej tyre gjashtë me normë olimpike, të cilët do të përfaqësojnë Kosovën në Lojërat Olimpike “Tokyo 2020”.

Me normë olimpike janë pesë xhudistët: Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi, Nora Gjakova, Loriana Kuka dhe Akil Gjakova, si dhe mundësi Egzon Shala.

Kurse nga komisioni Tre-Palësh janë ftuar shenjëtari Drilon Ibrahimi dhe boksierja, Donjeta Sadiku.

Kujtojmë që Lojërat Olimpike do të mbahen në Tokio, nga data 23 korrik deri më 8 gusht.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore