Lajme

Edhe Peja pa energji elektrike, shkak “punimet” në sistem


Ilustrim

Qyteti i Pejës, të paktën një pjesë e mirë e tij, do të mbetet pa rrymë për një kohë të caktuar gjatë ditës së sotme, kur temperaturat kanë zbritur në minus.

Në njoftimin për ndaljen e rrymës, është dhënë arsyetimi që po jepet shpesh kohëve të fundit.

Siç thuhet, Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut – KOSTT, duhet të bëjë “intervenimin e domosdoshëm në largpërçues”.

“Njoftohen qytetarët që me qëllim të krijimit të kushteve të sigurisë në punë, sot nga ora 12:00 deri në orën 13:00 do të bëhet shkyçja e linjës 110 kV L 113 (LP 126/2) që lidhë NS 110/10 kV Peja 2 me NS 110/10(20) kV Deçan. Shkyçja është e domosdoshme për të evituar një lidhje të shkurtër që është paraqitur në largpërçuesin L115 (LP 126/5), pasi që këto dy linja kalojnë në shtylla të përbashkëta”, thuhet në njoftim.

Ndërsa për Albanian Post, shefi i zyrës për informim i Komunës së Pejës, Arianit Demaj, ka thënë se nuk janë informuar për ndërprerjet e rrymës.

“KEDSI është kompani private dhe nuk e informon Komunën dhe zyrën e informimit për këto problemet apo fazat e reduktimit që bënë ajo”.

“Nuk e ka obligim dhe nuk na informon, prandaj ne nuk kemi edhe informacion, më shumë keni informacion ju mediat. Nuk na kanë njoftuar asnjëherë për reduktimet e rrymës”, ka deklaruar Demaj.

Qyteti i Pejës

KEDS në këtë periudhë të ftohtë është në vazhdimësi duke ndërpre rrymën nëpër komunat e Kosovës përfshi edhe kryeqytetin, Prishtinën me të njëjtat arsyetime ose të ngjashme.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, menjëherë pas marrjes së mandatit për të qeverisur me kryeqytetin ka takuar Drejtorin Gjeneral të KEDS-i, Alpin Dogan dhe ekipin e tij, ku ka thënë se ditëve të fundit është informuar se KEDS ka pasur punime të planifikuara në kryeqytet.

Rama ka shkruar në rrjetin e tij social se “U zotuam se do të bashkëpunojmë ngushtë që mos të kemi ndërprerje të energjisë elektrike”.

Ndërsa, në Komunën e Podujevës është raportuar se ditëve të fundit ka ndërprerje të gjata të rrymës, deri në tetë orë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore