Lajme

Edhe Osmani takon ambasadorin japonez, kërkon mbështetje në fushën e arsimit


Vjosa Osmani dhe Keisuke Yamanaka

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë ditës së martë të 18 janarit ka pritur në takim të Ngarkuarin me punë në ambasadën e Japonisë në Kosovë, Keisuke Yamanaka, me ç’rast ka kërkuar nga ai mbështetje në fushën e arsimit, respektivisht në shtimin e numrit të bursave për studentët kosovarë që duan të studiojnë në Japoni.

Marrëdhëniet dypalëshe, bashkëpunimi në sferën e politikës së jashtme, menaxhimi i pandemisë dhe mundësitë e thellimit të bashkëpunimit të mëtejmë në fushat të tjera, ishin temat e tjera të diskutuara në mes të Osmanit dhe Yamanakas.

Gjatë takimit Presidentja ka falënderuar ambasadorin japonez për mbështetjen e deritanishme të shtetit të tij duke kërkuar vazhdimin e përkrahjes në procesin e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Më tej, Presidentja ka potencuar mundësitë që ofron Kosova për investimet japoneze dhe në këtë kontekst ka përmendur moshën e re të popullsisë dhe fuqinë punëtore të kualifikuar.

Sipas saj, Kosova ka potencial të zhvillojë bashkëpunim me Japoninë në sferën e ekonomisë, shkëmbimit tregtar, shëndetësisë, arsimit, kulturës, si dhe sfera të tjera të interesit të dyanshëm.

Ndërkaq Yamanaka, ka shfaqur gatishmërinë e shtetit të tij për të vazhduar mbështetjen ndaj Kosovës dhe ka përmendur organizatën japoneze JICA, e cila sipas tij vazhdon të implementojë projekte në Kosovë.

Teksa është biseduar për menaxhimin e pandemisë, Yamnaka ka bërë të ditur se shteti i tij do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në sferën e shëndetësisë, duke paralajmëruar dhënien e donacioneve për institucionet shëndetësore.

Glauk Konjufca dhe Keisuke Yamanaka

Ndryshe diplomati japonez është pritur në takim edhe nga Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca i cili me këtë rast ka shprehur gatishmërinë e Kosovës për intensifikimin e bashkëpunimit bilateral në fusha me interes të përbashkët.

“Japonia mike, përveçse kontribuuese e madhe në rindërtimin dhe zhvillimin e Kosovës, vazhdon të jetë përkrahëse në procese të rëndësishme të shtetndërtimit të saj dhe për këtë u jemi shumë mirënjohës”, është shprehur Konjufca.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore