Muzikë

“Edhe një herë” emocione nga Blerta Deliu e Shpend Ahmeti


Legjenda e muzikës, Armend Regjepagiqi, është ngjitur në skenë pas shumë kohësh për të mbajtur koncertin “Edhe një herë”, i cili ka ngjallur reagime të shumta pozitive nga fansat,kolegët e bashkëpunëtorët e tij, por edhe nga politikanët, si Blerta Deliu e Shpend Ahmeti.

Deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu, ka bërë një postim në rrjetet e saj sociale, ku krijimet e Regjepagiqit, i ka quajtur “himn” gjeneratash.

“Nëpër vite zëri i tij ka munguar por jo edhe krijimet e tij. Ato janë himn i gjeneratës sonë” ka shkruar Deliu në profilin e saj të Facebook-ut.

Tutje ajo e ka etiketuar atë si një zë të fuqishëm në skenën e muzikës.

“Armend Regjepagiqi, zëri i fuqishëm i të cilit ka sjellë në jetë tekste të mrekullueshme dhe melodi profesionale muzikore, sonte na riktheu në kohë, na ngjalli emocion, e na bëri ti këndojmë shumë refrene që i kemi dëgjuar me qindra herë nëpër videokaseta, e të cilat këndohen e dëgjohen edhe sot!” ka shtuar ajo.

Por, Deliu nuk ishte i vetmi personazh politik që dedikoi një shkrim për koncertin “Edhe një herë”.

Edhe Shpend Ahmeti, i cili bashkë me Komunën e Prishtinës e ka mbështetur në mënyrë sponzoriale këtë koncert, ka publikuar një status falënderues për performancën e Regjepagiqit.

“Jam i lumtur që Armend Rexhepagiqi është artist i komunës tonë. Edhe më i lumtur që ka pranuar që sonte të këndojë këngët e karrierës së gjatë krijuese” ka shkruar Ahmeti.

Sipas të parit të Prishtinës, dyshja Ahmeti e Regjepagiqi kishin planifikuar që koncerti të mbahej me publik, por COVID-19 duket të u’a ketë prishur planet.

“E di që me Armendin kemi pas dëshirë që këtë koncert ta kemi me publikë dhe kështu ne ta nderojmë atë dhe ta falënderojmë për këngët e bukura. Por, pandemia!” ka shtuar ai.

Mes tjerash, Shpend Ahmeti, ka shprehur të ketë ndjerë mall për ta parë Armend Regjepagiqin në skenë.

“Armend, na paska marr malli me të pa në skenë! Faleminderit në emër të Prishtinës” ka përfunduar ai.

Ndryshe, koncerti “Edhe një herë” është mbajtur në qendrën kulturore Klan Area, ku Armendi ka performuar hitet më të mëdha të repertuarit të tij, përfshirë këtu edhe këngë të cilat ai i kishte krijuar për artistë të tjera si “Harrova” nga Tuna dhe “Tavolina e mërzisë” nga Elvana Gjata.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore