Lajme

Edhe nëse përfshihet Amerika më shumë në dialog, Serbisë aq i bën – Vuçiç po sfidon BE-në dhe SHBA-në edhe për Ukrainën: Intervistë me profesorin amerikan Edward P. Joseph


Fotografia e punuar nga Albanian Post

Në Kosovë prej kohësh është kërkuar një prezencë shumë më e madhe amerikane në ndërmjetësimin që ndodhë në Bruksel nga Bashkimi Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, por për ligjëruesin në Universitetin “John Hopkins” të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Edward P. Joseph, është fare e parëndësishme a përfshihet më shumë a më pak Amerika.

“Nuk ka rëndësi nëse SHBA-të marrin pjesë apo jo, përderisa Serbia është në gjendje të bllokojë rrugën e Kosovës përpara, duke mbajtur status quo-në. Pjesa tjetër është dytësore”, thotë Joseph.

Krejt çfarë i intereson Serbisë – thotë profesori amerikan që u sulmua ditë më parë nga Aleksandër Vuçiç si një “lobues për Kosovën” – është mbajtja e kësaj gjendje paqartësie.

“Arsyeja është shumë e thjeshtë: Serbia nuk ka nevojë për të ndryshuar status quo-në dhe çfarëdo arsye për të mbajtur levën e saj mbi Kosovën. Kjo lejon të gjithë absurditetin e ‘dy karrigeve’, duke përfshirë promovimin e narrativave ruse edhe pasi Rusia ka pushtuar Ukrainën. Është përmes levave mbi Kosovën që Serbia mund të sfidojë detyrimet e saj ndaj BE-së për luftën në Ukrainë, kriza më serioze në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore”, thotë Joseph.

Këtë lojë të paqartësisë së përhershme që e vazhdon tensionin, Serbisë ia mundëson “pozicioni i katër shteteve të NATO-s”, deklaron ai në këtë intervistë për Albanian Post.

Siç e përshkruan Joseph, derisa Greqi, Rumania, Spanja dhe Sllovakia të ketë pozicione mos njohëse ndaj Kosovës, “nuk do të ketë një zgjidhje përfundimtare, apo edhe një zgjidhje të përkohshme të llojit të ‘Propozimit franko-gjerman’”.

Prandaj, përfundimi logjik sipas profesorit amerikan është se “nëse Serbia mund të sfidojë BE-në dhe SHBA-në për këtë luftë shumë të rëndësishme, pse dikush mendon se sjellja e SHBA-së në Dialogun e udhëhequr nga BE-ja do të ndryshojë papritur gjërat dhe do të çojë në një zgjidhje?”.

“Problemi i vërtetë nuk është pjesëmarrja e drejtpërdrejtë e SHBA-ve në dialogun e udhëhequr nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Problemi i vërtet janë përçarjet brenda Evropës për Kosovën”.

Joseph në këtë intervistë ka folur edhe për shumë çështje si propozimi franko-gjerman dhe probabiliteti i funksionimit të këtij plani, pasojat e funksionimit eventual të Ballkanit të Hapur, themelimi potencial i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe çështje të tjera.

Intervista e plotë me ligjëruesin në Universitetin “John Hopkins” të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Edward P. Joseph:

Albanian Post: Së fundmi presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ju ka akuzuar se po financoheni nga “shqiptarët për të lobuar për interesat e Kosovës”, megjithatë presidenti serb nuk ofroi dëshmi për këto pretendime. Cili është komenti juaj për pretendimet e Vuçiç’it? Dhe çka po synon ai në të vërtet me këso lloj deklaratash?

Ewdard P. Joseph: Presidenti Vuçiç nuk ka dhënë asnjë provë sepse nuk ka dhe nuk mund të ketë prova, pasi unë nuk kam dhe nuk kam pasur kurrë lidhje financiare për të lobuar për shqiptarët apo diçka të ngjashme. Siç thashë në përgjigjen time në Twitter, pikëpamjet e mia janë produkt i dymbëdhjetë vjetëve të punës në terren në rajon, në të gjitha zonat e konfliktit, duke përfshirë edhe vitet e luftës.

Vetëm presidenti Vuçiç mund të shpjegojë motivet e tij. Është e qartë se kur dikush njollos karakterin e një kritiku, qëllimi i menjëhershëm është që të shmangen kritikat. Për ta bërë të duket sikur kritika nuk mund të ketë asnjë meritë sepse kritiku është i “paguar” ose në një farë mënyre i pabesueshëm ose nuk ia vlen të dëgjohet.

Më gjerësisht, sulme të tilla në një vend si Serbia janë mjaft frikësuese. Megjithatë, në këtë rast, presidenti Vuçiç gaboi duke më sulmuar mua, pasi unë jam një qytetar amerikan. Isha i kënaqur nga reagimi i Departamentit të Shtetit, i cili dha një mesazh ku thuhej se “taktikat e shpifjeve ndaj meje” nuk kanë vend në shoqërinë demokratike.

Akoma më e rëndësishme, Departamenti i Shtetit e lidhi këtë më gjerësisht me “zërat e pavarur dhe organizatat e shoqërisë civile”, duke vënë në dukje rolin e rëndësishëm që ata luajnë. Kjo ishte një mbrojtje e rëndësishme e atyre zërave të pavarur dhe një sinjal për Vuçiç’in se sulme të tilla janë të papranueshme.

Edhe më e rëndësishme është të jemi të vetëdijshëm për gjendjen urgjente, te përkeqësuar të rajonit, me shembuj të qartë nga Kosova, Bosnje-Hercegovina dhe Mali i Zi.

Albanian Post: Partitë opozitare në Kosovë po nënvizojnë faktin se pa pjesëmarrjen direkte të SHBA-ve në procesin e dialogut Kosovë-Serbi, çështja ndërmjet dy vendeve nuk mund të ketë epilog. Në këtë kontekst si e shihni ju rolin e BE-së në raport me dialogun dhe a besoni se BE-ja ka kapacitetin e mjaftueshëm për ta zgjidhur këtë problem? A mendoni se duhet të ketë një përfshirje të drejtpërdrejtë të SHBA-ve në këtë proces?

Edward P. Joseph:  Problemi i vërtetë nuk është pjesëmarrja e drejtpërdrejtë e SHBA-ve në dialogun e udhëhequr nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Problemi i vërtet janë përçarjet brenda Evropës për Kosovën. Ne e shpjeguam këtë në raportin e përpiluar nga Shkolla e Studimeve Ndërkombëtare të Avancuara të Universitetit Johns Hopkins dhe Qendra Wilson të një viti më parë, “Nga kriza në konvergjencë: Një strategji për të trajtuar paqëndrueshmërinë në Ballkan në burimin e saj”.

Nuk ka rëndësi nëse SHBA-të marrin pjesë apo jo, përderisa Serbia është në gjendje të bllokojë rrugën e Kosovës përpara, duke mbajtur status quo-në. Pjesa tjetër është dytësore.

Për sa kohë që Serbia e ka këtë aftësi – që vjen nga pozicioni i katër shteteve të NATO-s: Greqisë, Rumanisë, Spanjës dhe Sllovakisë – nuk do të ketë një zgjidhje përfundimtare, apo edhe një zgjidhje të përkohshme të llojit të “Propozimit franko-gjerman”.

Arsyeja është shumë e thjeshtë: Serbia nuk ka arsye për të ndryshuar status quo-në dhe çdo arsye për të mbajtur levën e saj mbi Kosovën. Kjo lejon të gjithë absurditetin e “dy karrigeve”, duke përfshirë promovimin e narrativave ruse edhe pasi Rusia ka pushtuar Ukrainën. Është përmes levave mbi Kosovën që Serbia mund të sfidojë detyrimet e saj ndaj BE-së për luftën në Ukrainë, kriza më serioze në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Nëse Serbia mund të sfidojë BE-në dhe SHBA-në për këtë luftë shumë të rëndësishme, pse dikush mendon se sjellja e SHBA-së në Dialogun e udhëhequr nga BE-ja do të ndryshojë papritur gjërat dhe do të çojë në një zgjidhje?

Ne shpjeguam në raportin tonë mënyrën se si SHBA-të mund të punojnë me Greqinë dhe shtetet e tjera të NATO-s për t’i dhënë fund kësaj bllokade tmerrësisht shkatërruese që e lë Serbinë dhe të gjithë rajonin në një gjendje të përkeqësuar dhe e lë Rusinë në një pozitë të forcuar. Unë rekomandoj lexuesit tuaj të lexojnë raportin tonë. Është online.

Ne gjithashtu shpjeguam pse përpjekjet për të qetësuar apo përgjëruar Beogradin, si Ballkani i Hapur, janë një gabim. Siç e shpjegova në një artikull të veçantë në Balkan Insight, Ballkani i Hapur rrit fuqinë ekonomike të Serbisë, pasi ajo ka ekonominë më të madhe në Ballkanin Perëndimor. Kjo do të rrisë fuqinë politike të Beogradit, duke përforcuar ambicien për ‘Botën Serbe’. Rruga për të ndërtuar një treg të përbashkët rajonal është përmes patronazhit të BE-së dhe vlerave të BE-së, të arritura në kuadër të Procesit të Berlinit. Ne pamë në nëntor një përparim të rëndësishëm në kuadër të Procesit të Berlinit të udhëhequr nga Gjermania. SHBA-të duhet ta mbështesin këtë proces, duke punuar me Gjermaninë dhe të gjitha vendet e rajonit për të përshpejtuar integrimin e tyre ekonomik, përgjatë rrugës së BE-së, pa u ndare nga kjo piste.

Kjo është edhe në interes të Shqipërisë, pasi rrit presionin ndaj Brukselit për të mbajtur të zbatueshëm zgjerimin e të gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Ka fleksibilitet në kuadër të Procesit të Berlinit për të lejuar disa palë të ecin përpara më shpejt, nëse palët e tjera nuk janë gati.

Albanian Post: Çfarë mendoni për propozimin e fundit franko-gjerman, a besoni se ofron zgjidhjen e shumë pritur dhe a besoni se Kosova dhe Serbia do ta pranojnë?

Edward P. Joseph: Siç thashë, dyshoj shumë se kjo marrëveshje do të përfundojë. Është gjithashtu një marrëveshje e gabuar. Serbia, Kosova dhe rajoni kanë nevojë për një zgjidhje përfundimtare, jo një zgjidhje të përkohshme.

Albanian Post: Veriu i Kosovës muajve të fundit është shndërruar në një arenë ku Kosova dhe Serbia po peshojnë forcat e tyre. Sipas jush cili do të ishte zgjidhja më ideale për këtë pjesë të vendit rrjedhimisht për komunitetin serb në Kosovë, krijimi i Asociacionit apo korrigjimi i kufijve, dhe pse?

Edward P. Joseph: Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe mund të jetë një komponent kritik i asaj zgjidhjeje përfundimtare, kur ekziston një ekuilibër i barabartë i fuqisë negociuese ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Atëherë Beogradi do të ketë një nxitje për të negociuar dhe BE-ja dhe SHBA-ja mund të ndërmjetësojnë një zgjidhje përfundimtare të drejtë, dinjitoze dhe stabilizuese. Kjo do t’i lërë serbët e Kosovës në një pozitë më të sigurt brenda një Republike plotësisht sovrane të Kosovës me integritet dhe funksionalitet të plotë territorial. Kjo do t’i lërë me siguri edhe shqiptarët e Kosovës, duke e ditur se nuk jetojnë në një vend të cilit i mungon perspektiva e plotë euroatlantike.

Problemi është sekuenca: Asociacioni është një çështje e statusit përfundimtar. Po, është obligim i Kosovës që e ka pranuar. Mund të zgjidhet në kontekstin e zgjidhjes përfundimtare të Kosovës me Serbinë, pasi katër jo-njohësit e NATO-s të kenë hequr aftësinë e Beogradit për të bllokuar Kosovën duke mos bërë asgjë.

Qiproja do ta ndjekë shpejt shembullin, duke krijuar hapjen e Kosovës edhe në BE. Rruga e NATO-s është një prioritet më imediate dhe më i realizueshëm. Anëtarësimi në OKB është një prioritet shumë më i ulët pasi është marrë peng nga Rusia dhe Kina, kështu që nuk ka nevojë të humbim kohë në këtë drejtim tani.

E gjithë kjo shpjegohet në raportin tonë. Jam i kënaqur të them se raporti po merr interes dhe vëmendje të përtërirë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore