Bota

Edhe në largim, Trump sulmon Iranin


Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka fajësuar Iranin për një sulm me raketa në ambasadën e SHBA-së në Baghdad. Ai kërcënoi se do të ketë një kundërpërgjigje nëse shtetas amerikanë vriten.

Ambasada e SHBA-së në Irak u godit nga një seri raketash, duke ngjallur frikën e thyerjes së armëpushimit. Një oficer sigurie iraken u plagos dhe disa automjete u dëmtuan. Versioni zyrtar nga ushtria irakene është se një “grup kriminal” e ka kryer sulmin.

Trump shkroi menjëherë në Twitter se Ambasada Amerikane në Baghdad ishte sulmuar. “Gjejeni nga erdhën raketat: IRANI”, ka shkruar Trump.

Një përgjigje ka ardhur nga Ministri i Jashtëm iranian, Javad Zarif, në Twitter. “Vendosja e qytetarëve të tu në rrezik jashtë kufijve, nuk do ta shpërqëndrojë vëmendjen nga dështimet katastrofike në shtëpinë tënde”.

Ky është një konflikt i gjatë midis Trump dhe Iranit, që daton që në fillimet e fushatës së tij për president.

Por si filloi gjithçka?

Një pjesë e mirë e fushatës së Trump për president, ka qenë pikërisht komentimi i marrëveshjes bërthamore të nënshkruar nga paraardhësi i tij, Barack Obama dhe të tjerë.

Trump e ka cilësuar gjatë gjithë fushatës marrëveshjen me Iranin si “të tmerrshme” dhe “qesharake”.

Menjëherë pas ardhjes në detyrë, Trump u tërhoq nga akordi me Iranin duke nisur një seri të re konfliktesh midis vendeve

Vrasja e Soleimani-t

Viti 2020 nisi me lajmin e vrasjes së një gjenerali të lartë iranin, Qasem Soleimani-t.

Kjo ngjarje shënoi një pikë kulminante të konfliktit SHBA-Iran.

Trump nuk ngurroi ta quante një fitore të madhe vrasjen e tij, pasi ishte një ndër “anti-amerikanët më të egër”.

Nga Shtëpia e Bardhë, u bë me dije se planet e Soleimani-t ishin “të hidhte në erë Ambasadën e SHBA-së në Baghdad”.

Sanksionet e reja ndaj Iranit             

Pas dy muaj replikash në distancë, SHBA-ja vendosi sanksione të reja ndaj Iranit. Kryesisht, synimi ishte të ndalnin rritjen ekonomike të Iranit. Industria e naftës dhe ajo kimike u goditën më rëndë. U kërkua gjithashtu një izolim diplomatik i Iranit.

Një seri sanksionesh të tjera kishin në shënjestër Ministri i Brendshëm dhe zyrtarët e lartë të zbatimit të ligjit. Arsyetimi ishte se kishin dhunuar të drejtat e njeriut në mënyrë të rëndë.

Kundërpërgjigja e Iranit

Në 29 Qershor 2020 Irani lëshon një urdhër arresti për presidentin Trump. Ata i kërkojnë Interpol-it ndihmë për ta arrestuar. Së bashku me të kërkojnë dhe arrestimin e dhjetëra të tjerëve.

Ky hap i Qeverisë Iraniane vjen si akuzë se Trump dhe bashkëpunëtorët  e tij kanë urdhëruar vrasjen e gjeneral Soleimani-t.

Përmbyllje apo rifillim?

Tashmë pak ditë përpara largimit zyrtar nga posti i presidentit, Trump ka nisur një fushatë tjetër sulmesh ndaj Iranit. Këshilltarët e tij i kanë kërkuar të jetë më i përmbajtur, duke qenë ditët e fundit si president.

Nga ana tjetër, presidenti i zgjedhur, Joe Biden, ka akuzuar Pentagon-in se nuk po e informon si duhet mbi çështjen.

Edhe pse në largim, Trump po e bën shumë të vështirë tranzicionin presidencial me luftën e re që po i shpall Iranit./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore