Përballje

Eddie Hearn: AJ vs Fury në korrik


Babai i “Mbretit Cigan” (Tyson Fury), John Fury, ka thënë publikisht se “një marrëveshje për t’u ndeshur me kontratë pa vend e datë, nuk ka asnjë kuptim”.

Super-ndeshja e nxitur prej kohësh tashme midis Anthony Joshua dhe Tyson Fury, dy kampionët absolut të peshave të rënda të cilët do të ndeshen për të unifikuar titullin e për të shpallur një kampion të vetëm absolut, pritet të zhvillohet në korrik sipas menaxherit të Joshua-s, Eddie Hearn.

“Çfarë kanë nënshkruar ata?! Nëse s’po përpiqesh të dalësh jashtë kontratës dhe të devijosh procesin zhvillimor të kësaj ndeshjeje, më mirë mos fol. Sa për mua, të garantoj që po më priten b**** lart e poshtë në përpjekje për ta realizuar këtë ndeshje”, iu përgjigj Hearn John Fury-t tek “AK & Barak Show”.

E gjithë bota i ka sytë te AJ dhe Fury. Hearn është kokëfort në atë që thotë se “më mirë shpejt se sa vonë”, sa i përket zhvillimit të ndeshjes.

I pyetur se ekzaktësisht kur ka më shumë mundësi të ndodhi super-ndeshja, Hearn përgjigjet: “Në korrik. Por nëse flasim për datën, ajo varet nga një mori faktorësh të tjerë. Për shembull, për njërën arenë/stadium vlen java e parë e korrikut si segment kohor për t’u zhvilluar ndeshja ndërsa për tjetrën, java e fundit e korrikut. Ndaj kemi ende punë për ta finalizuar njëherë e përgjithmonë”.

“Kemi disktutuar për Wembley-n (stadiumi anglez), që për hir të vërtetës pararend shumë vështirësi në kuadër të ndeshjes por, kemi në dispozicion 100 mijë vende nëse qeveria arrin të zbusë situatën e pandemisë. Atëherë po, do të jetë një mundësi e shkëlqyer. Deri atëherë, shpresojmë”, përfundoi Hearn.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore