Muzikë

E vërteta që fshihet pas video klipit pa ngjyra – “Single Ladies” të Beyonce-s


Beyonce - Artiste

Ikona e muzikës pop, Beyonce, e njohur për video klipet e veçanta, ekstravagante e të kuruara deri në detaje, së fundmi ka zbuluar disa detaje rreth njërit nga projektet e saj më të suksesshme në të gjithë karrierën si artiste.

Shumë nga ju, mbase mund ta kujtoni video klipin e këngës “Single Ladies”, të publikuar në ditën e 13-të të tetorit të 2008-tës, i cili shënoi një sukses të jashtëzakonshëm, me thyerje rekordesh të kopjeve të shitura dhe shikime milionëshe.

Por, së fundmi, Beyonce, e njohur edhe si – Queen Bey, në një intervistë të dhënë për “Harper’s Bazaar”, ka thënë se disa nga kërkimet e menaxhmentit të saj të bëra para se të publikonte “Single Ladies”, kanë pohuar se fansat e yllit të hitit “Drunk in Love”, nuk i pëlqejnë edhe shumë imazhet dhe video klipet bardhë e zi.

Madje, ajo, ka treguar se ekipi i saj e kishin këshilluar që të largohej nga publikimi i artit pa ngjyra, por që Beyonce, kundërshtoi këtë propozim bindshëm.

“Më kujtohet teksa kam qenë në një takim për të diskutuar mbi të dhëna dhe më thanë se kërkime të fundit kanë treguar se fansat e mi nuk i pëlqejnë edhe aq shumë imazhet e mia pa ngjyra”, tha ajo.

Mes tjerash, ekipi i këngëtares kishte parashikuar se – “produkti nuk do të shitej nëse do të vinte në format pa ngjyra”, dhe ky fakt e kishte revoltuar shumë këngëtaren.

Sipas saj, kjo ishte diçka shumë sipërfaqësore dhe nuk tregonte asgjë. E për ta dëshmuar  të kundërtën ajo vendosi që projektet e saj të ardhshme të ishin pikërisht “bardhë dhe zi”.

Ndërkaq, pas publikimit të “Single Ladies”, u dëshmua ajo se çfarë Queen Bey kishte në mendje, çka bëri që ajo të mos ndalonte këtë recetë suksesi, pasi që projekti ishte ndër më të suksesshmit në komplet repertuarin e këngëtares.

Pos, “Single Ladies”, ajo kishte publikuar edhe video klipe të tjera me ngjyra bardhë e zi, të cilat rezultuan super të suksesshme, të tilla si “If I were a boy” e “Drunk In Love”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore