Sport

“E theva karantinën kur isha me COVID” – Djokovic e pranon “gabimin”


Tenisti serb, Novak Djokovic, ka pranuar për herë të parë se e ka thyer karantinën izoluese gjatë kohës kur ai ishte i infektuar me COVID-19, duke e cilësuar veprimin si një “gabim gjykimi të situatës”.

Nëpërmjet një postimi në median sociale Instagram, ai pranoi se pati takuar një gazetar për të kryer një intervistë. Kjo, vetëm dy ditë pasi ai ishte testuat pozitiv me virusin COVID-19.

“E pranoj se duhet ta kisha shtyrë takimin”, shkruan ai.

Ndërsa, pavarësisht “sinqeritetit” që tenisti ka treguar, ndjekësit dhe më gjerë e kanë dënuar ashpër veprimin e tij. Qeveria australiane ndërkaq, është ende duke shqyrtuar nëse duhet ta lejojë atë të garojë në turneun e tenisit Australian Open apo jo.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Novak Djokovic (@djokernole)

Por, Djokovic nuk e ka ndalur me kaq gjënë. Ai ka fajësuar po ashtu agjentin e tij për një gabim që ky i fundit ka kryer në formularin e aplikimit për hyrjen në Australi.

Menjëherë pas kësaj deklarate, në lëvizje janë vënë autoritetet, të cilat kanë nisur një hetim të ri.

I pavaksinuari Djokovic, shpreson se do të mund të mbrojë titullin e tij Grand Slam në Melbourne. Turneu fillon javën e ardhshme dhe Qeveria ende nuk e ka marrë vendimin përfundimtar.

Më 6 janar, atij iu mohua viza e hyrjes, pak pasi mbërriti në kontinent-shtetin e largët.

Leja e hyrjes, pavarësisht faktit se nuk ishte i vaksinuar, u cilësua si e pavlefshme, duke e çuar “Nole”-n në izolim.

Të hënën gjithsesi, një gjykatës e ktheu këtë vendim, duke urdhëruar lirimin e Djokovic. Por, këtë vendim, nuk e ndan Qeveria, e cila ka fuqinë nëpërmjet ministrit të Emigracionit, të refuzojë ose zhbëjë vizën e tenistit.

Teksa “saga” i drejtohet “setit të pestë”, me pak ditë të mbetura për të vepruar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore