Sport

E mërkura pritet të jetë ditë vendimtare për transferimin e Asllanit tek Inter-i


Gjatë ditë së mërkurë pritet të vendoset për transferimin e Kristjan Asllanit te Inter-i.

Mesfushori i talentuar i kombëtares shqiptare është vetëm një hap larg transferimit te Interi dhe gjasat janë që gjithçka të përfundojë brenda ditës së sotme.

Nënkampionët e Italisë kanë arritur marrëveshje me Asllanin për të nënshkruar kontratë pesë-vjeçare, ku futbollisti kuqezi pritet të përfitojë një pagë prej 1.2 milionë euro në sezon.

Nga kjo marrëveshje, skuadra e Empoli-t pritet të përfitojë rreth 15 milionë euro dhe një nga futbollistët e akademisë së Inter-it do të shkojë në huazim te klubi toskan.

Duke folur për mediat pranë klubit zikaltër, ish mbrojtësi i Interit, Giuseppe Bergomi deklaroi se Asllani është një “fiksim” i vjetër i Piero Ausilio-s, i cili ka vendosur ta sjellë patjetër në Milano.

“Asllani është një zgjedhje e Ausilios, që e ndjek prej kohësh dhe tani ka këmbëngulur për ta marrë në Milano. Duhet një zëvendësues i Brozovic dhe Asllani do të niset nga pankina, për të shfrytëzuar rastet e tij e për t’u rritur gradualisht”, u shpreh Bergomi.

Kujtojmë që Asllani pati një sezon shumë të mirë në vitin e kaluar me Empoli-n. Sidomos në pjesën e dytë të sezonit, ai ishte një pikë kyçe në formacionin e trajnerit Aurelio Andreazzoli.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore