Përballje

E mërkura në Champions ka rezervuar klasiket e mëdha


Champions League vjen sonte me natën e dytë të saj.

Dita e mërkurë në këtë kompeticion ka rezervuar klasike të mëdha të futbollit, me dy skuadrat e Milan-it të përfshira.

Në Itali, Inter-i pret Real Madrid-in, kurse në “Anfield”, Milan udhëton te Liverpool-i.

Përveç këtyre takimeve, i veçantë pritet të jetë edhe debutimi i Lionel Messi-t me PSG-në në Champions.

Dita fillon përsëri në orën 18:45, me dy ndeshje nga dy grupe të ndryshme.

Nga grupi C, në Stamboll, Besiktas-i e pret Dortmund-in e Haaland-it.

Për këto dy skuadra, kjo është përballja e parë në historinë e tyre.

Ndeshja tjetër e këtij orari është ajo e grupit D, mes debutuesve moldav të Sheriff Tiraspol, dhe skuadrës së Shakhtar Donetsk.

Me fillim në orën 21:00, pastaj vijnë klasiket e mëdha.

Fillojmë me grupin A, ku Manchester City dhe Paris Saint-Germain luajnë ndeshjet e tyre.

Skuadra e Guardiola-s, nënkampione e Evropës, do të jetë nikoçire e RB Leipzig.

Sonte pritet debutimi i blerjes më të shtrenjtë të klubit, Jack Grealish, në kompeticionin më madhor për klube.

Po në këtë grup, pritet edhe një debutim i madh, ai i Lionel Messi-t me fanellën e PSG-së në Champions League.

Parisienët e Pochettino-s përballen me Club Brugge-n, në vizitën e tyre në Belgjikë.

Për herë të parë ketë sezon, pritet që treshja Messi – Mbappe – Neymar të nisin së bashku një ndeshje.

Në grupin B, vjen klasikja e madhe.

Liverpool-i pret Milan-in e rikthyer në ligën e kampionëve pas shtatë viteve.

Kjo është përballja e tretë zyrtare mes dy klubeve gjigante, me dy të parat që kishin sjell nga një kampion evrope.

Në vitin 2005, Liverpool-i bëri rikthimin e madh nga 0-3 në 3-3, duke fituar pastaj me 11-metërsha.

Kurse borxhin Milan-i ia ktheu në vitin 2007, me fitoren 2-1 në Athinë.

Dy skuadrat kanë nga tre mungesa në këtë ndeshje, me Milan-in që vjen pas shërbimet e Zlatan Ibrahimovic.

Krunic dhe Bakayoko janë mungesat e tjera te kuqezinjtë, kurse Firmino, Elliot dhe Williams mungojnë te Liverpool-i.

Po në të njëjtin grup, kampionët e Spanjës, Atletico Madrid-i, presin Porto-n në “Wanda Metropolitano”.

Në grupin C, pas Besiktas – Dortmund, ndeshen edhe Sporting Lisbona, kampionët e Portugalisë, me Ajax-in, kampionët e Holandës.

Kurse, sa i përket grupit D, ndeshja që mbyll javën e parë në Champions është ripërsëritja e super duelit të vitit të kaluar, Inter – Real Madrid.

Në “Guizeppe Meazza”, Inter-i vjen pa Conte-n e Lukaku-n, Real-i vjen pa Zidane-n, Ramos-in e Varane-n, një pasqyrë krejt ndryshe nga viti i kaluar.

Dy skuadrat mes vete janë përballur dhjetë herë në garat evropiane.

Real Madrid-i ka gjashtë fitore, kurse Inter-i katër.

Dy ndeshjet e sezonit të kaluar përfunduan me fitoren e madrilenëve, me ndeshjen në Itali që ishte mbyllur 0-2.

Real Madrid-i do të tentojë të vazhdojë zakonin duke kaluar grupet për vitin e 27-të radhazi, kurse Inter kërkon ringjalljen pas tre viteve eliminim në grupe.

Rruga për në St. Petersbug vazhdon sonte, me elitarët e Evropës që vazhdojnë magjinë nën këngën The Champions.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore