Kosova

E mërkura ditë zie shtetërore në Kosovë


Flamuri i Kosovës.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shpallur të mërkurën ditë zie shtetërore pas aksidentit me autobus në Bullgari, që la të vdekur të paktën 46 persona.

Kështu ka bërë të ditur përmes një komunikate për media Zyra e Presidencës.

“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në mbështetje të legjislacionit në fuqi, ka marrë vendim të mërkurën, me 24 nëntor 2021, të shpallet ditë zie shtetërore në shenjë solidarizimi dhe nderimi të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, shumica dërmuese bashkëkombas tanë, të cilët kanë humbur jetën tragjikisht në aksident trafiku në Bullgari”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Presidenca.

Dokumenti i lëshuar nga Presidenca.

Edhe qeveria e Maqedonisë, të martën ka shpallur tri ditë zie pas këtij aksidenti tragjik.

Zyrtarët thanë se aksidenti ndodhi në një autostradë në perëndim të Bullgarisë, ku një autobus me 53 pasagjerë, shumica nga Maqedonia e Veriut, u përfshi nga flakët në orët e para të 23 nëntorit.

Mes viktimave ishin dhe 12 fëmijë.

Shtatë persona me djegie u dërguan në spitalin e kryeqytetit, Sofje, tha për televizionin BTV kreu i departamentit të sigurisë nga zjarri në Ministrinë e Brendshme bullgare, Nikolai Nikolov.

Aksidenti ka ndodhur në autostradën Struma rreth 45 kilometra në perëndim të Sofjes.

Në këtë aksident nuk janë përfshirë automjete të tjera.

Autobusi që shkaktoi aksidentin është në pronësi të agjencisë turistike Besa Trans, e cila sipas Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve të Maqedonisë së Veriut, ka pasur licencë të rregullt për transport ndërkombëtar, por Inspektorati Shtetëror për Transport ka bërë të ditur se ndaj kësaj kompanie gjatë këtij viti janë ngritur katër padi për mosrespektimin të protokolleve kundër COVID-19.

Aksidenti tragjik në Maqedoninë e Veriut.

Një zyrtar nga spitali i urgjencës së Sofjes tha se shtatë personat që po merrnin trajtim ishin hedhur nga autobusi që po digjej.

Të gjithë janë në gjendje të qëndrueshme për jetën.

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, tha se pasagjerët po ktheheshin në Shkup pasi një udhëtimi në fundjavë në Stamboll.

Aksidenti ndodhi në autostradën Struma rreth 45 kilometra në perëndim të Sofjes rreth orës 2 të mëngjesit.

“Të paktën 45 njerëz u vranë pasi një autobus mori flakë dhe u rrëzua, ose u përplas dhe më pas mori flakë”, tha Nikolov.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore