Gjykata Speciale

E konfirmon Specialja për Albanian Post: Thaçi ka ardhur në Kosovë


Hashim Thaci

Hashim Thaçi, ish-presidenti i Kosovës, i arrestuar nga Gjykata Speciale, ka ardhur për një vizitë të shkurtër në Kosovë.

Lajmin për ardhjen e tij në Prishtinë – e para vizitë prejse është paraburgosur në Hagë – e ka konfirmuar për Albanian Post, zëdhënësja e Speciales, Angela Griep.

“Për shkak të arsyeve bindëse humanitare, Trupi Gjykues ka udhëzuar Sekretarin që të menaxhojë një vizitë paraburgimi në Kosovë për Hashim Thaçin për të takuar familjen”, thuhet në përgjigje.

Nga burime brenda Partisë Demokratike të Kosovës, AP kupton se këto “arsye bindëse humanitare”, kanë të bëjnë me gjendjen shëndetësore të nënës së Thaçit, e cila nuk është e mirë.

Griep nga Specialja ka shtuar për AP se “i akuzuari mbetet në paraburgim nga Dhomat e Specializuara”.

Derisa, ka treguar gjithashtu se gjatë qëndrimit të Thaçit në Kosovë do të kujdesën për të “EULEX-i dhe Policia e Kosovës”.

Këto institucione, “po mbështesin Dhomat e Specializuara të Kosovës”, deklaroi Griep.

Procesi i Hashim Thaçit në Hagë

Hashim Thaçi u arrestua në nëntor të vitit 2020 nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë dhe nga 5 nëntori i atij viti nuk kishte ardhur asnjëherë në Kosovë, për asnjë vizitë.

Bashkë me ish-krye parlamentarin Kadri Veseli, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin u arrestuan një muaj pasi ndaj tyre u konfirmua nga Gjykata Speciale për “krime lufte, ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe krimet kundër njerëzimit të burgosjes, akteve të tjera çnjerëzore, torturës, vrasjes së paligjshme, zhdukjes me forcë të personave dhe përndjekjes”, të cilat sipas Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, janë kryer midis marsit 1998 dhe shtatorit të vitit 1999.

Sipas aktakuzës, krimet dyshohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës, por edhe në Kukës dhe Cahan në Shqipërinë Veriore “dhe u kryen nga anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (“UÇK”) kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë aktive në luftime”.

Pas dy vite e gjysmë në paraburgim, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, nisën procesin gjyqësor ndaj tyre, më saktë më 3 prill të vitit 2023.

Prokurorët e Specializuara ishin të parët që nisën deklaratat e tyre hyrëse për rastin e ngritur ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, kryeparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi dhe ndaj Rexhep Selimit, ish-deputet i Lëvizjes Vetëvedosje.

Dhomat e Specialuzuara pasi dështuan fatalisht me Raportin e senatorit zviceran me emrin Dick Marty ku akuzoheshin krerët e UÇK-së për trafikim organesh me qenie njerëzore, thanë se gjatë këtij gjykimi do të ofrojnë dëshmi se të akuzuarit kanë qenë pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”.

Kjo “ndërmarrje e përbashkët kriminale”, sipas prokurorisë, kishte udhëhequr një “luftë speciale” kundër atyre që i konsideronte “kolaboracionistë” dhe “tradhtarë”. Ata gjatë këtij gjykimi thanë se do të ofrojnë dëshmi se të akuzuarit kanë shënjestruar kundërshtarët e perceptuar të UÇK-së.

Akuza e parë që rëndon mbi Thaçin dhe të tjerët është që “përmes veprimeve dhe mosveprimeve”, me anë të pjesëmarrjes së tyre në “ndërmarrje të përbashkët kriminale” kryen ose ndihmuan dhe inkurajuan krime të paraqitur në këtë akuzë.

Në tri ditët rresht të këtij procesi gjyqësorë, të akuzuarit u deklaruan “plotësisht të pafajshëm” për akuzat me të cilat i ngarkoi Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Deri tani në këtë proces janë dëgjuar shtatë dëshmitarë, deklaratat e të cilëve kryesisht janë dëgjuar “të mbyllura” për publikun dhe çdo gjë që ata thanë rreth dëshmisë së tyre u dëgjua vetëm nga prokurorët, avokatët mbrojtës dhe panlei i gjyqtarëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore