Sport

E konfirmon kryetari i bashkisë: Milan-i do ta ndërtojë stadiumin e ri pa Inter-in


Kryetari i bashkisë së Milanos, Giuseppe Sala, ka konfirmuar se kuqezinjtë duan të ndërtojnë një stadium të ri të vetëm, jashtë “San Siro”-s.

Pronari i Milan-it, Gerry Cardinale, është kthyer në qytet për të zhvilluar një takim me kryebashkiakun e Milanos të enjten në mëngjes.

Sala tani ka thënë se kuqezinjtë duan të ndërtojnë stadiumin e tyre të ri vetëm (pa Inter-in) në zonën e quajtur La Maura, e cila nuk është shumë larg nga “San Siro”.

“Milani ka konfirmuar dëshirën e tyre për të vazhduar me projektin në La Maura”, u tha Sala gazetarëve të cituar nga “La Gazzetta dello Sport”.

“Ne patëm një diskutim të hapur dhe të drejtpërdrejtë për ‘San Siro’-n, por qartë, ata duhet të më thonë nëse nuk duan të shkojnë atje”.

“Ata duhet të paraqesin një projekt brenda dy javësh, është një hap formal për të hapur procedurën”, ka thënë Giuseppe Sala.

Inter-i dhe Milan-i kishin rënë dakord fillimisht për të ndërtuar një stadium të ri në zonën e “San Siro”-s, një arenë e re që duhej të quhej “Katedralja”.

Projekti duhej të kalonte përmes një debati publik ku përfshiheshin banorët e zonës dhe duhej të kishte çuar në prishjen e “San Siro”-s për të respektuar masat mjedisore.

Drejtori i Përgjithshëm i Inter-it, Alessandro Antonello, zbuloi në shkurt se zikaltrit shpresonin të ndërtonin një stadium të ri përkrah rivalëve të tyre të qytetit në zonën e “San Siro”-s, por kjo, me sa duket, nuk është më në planet e kuqezinjve.

“Nuk kam folur me Inter-in për momentin, ata nuk kanë treguar alternativa”, përfundoi Sala.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore