Muzikë

E fundit këngë nga 17-vjeçarja Nika e vrarë në Iran


Flokëshkurtër, pa shami, e veshur në të zeza, me pantallona sportive dhe një bluzë të gjerë.

Teksa mori mikrofonin, e qeshur, nisi të këndonte një këngë të vjetër dashurie të vitit 1968, të cilën të gjithë iranianët e dinë përmendësh, nga filmi “Soltane Ghalbha”.

Kështu do të mbahet mend Nika Shakarami në videon e publikuar në mediat sociale pas vdekjes.

“Një pjesë e zemrës sime më thotë shko, shko. Pjesa tjetër më thotë rri, rri”.

U zhduk më 20 shtator, gjatë protestave kundër regjimit në Teheran.

Trupi u identifikua dhjetë ditë më vonë nga tezja e saj në morgun e qendrës së paraburgimit, por agjencia shtetërore Tasnim deklaron se është gjetur në rrugë.

Ditën kur do të festonte ditëlindjen e shtatëmbëdhjetë, më 2 tetor, ajo u gjet e pajetë në Khorramabad, në Iranin perëndimor, me urdhër që familja e saj ta varroste në heshtje, pa funeral.

Më pas, agjentët e morën trupin për ta varrosur në një fshat më të vogël dhe për të parandaluar që varri i saj të shndërrohej në një vend pelegrinazhi.

Nika ka kënduar për qejf, jo për protestë. Por ja që argëtimi mund të jetë edhe formë proteste.

Në filmin “Hit the Road”, debutimi i fundit i Panah Panahi, djali i mjeshtrit Jafar Panahi tani në burg, një familje në një makinë dëgjon këngë të vjetra të Iranit para-revolucionar me volum të lartë.

“Shoqëria e sotme është kundër kësaj muzike, ndaj është e rëndësishme ta dëgjojmë dhe familjet iraniane, kur shkojnë me pushime, e bëjnë gjithmonë këtë”, ka thënë ai.

Protestat iraniane të kësaj vjeshte, të vogla dhe të decentralizuara, por të papengueshme, ditë e natë, për më shumë se dy javë, kanë këngë të reja si kolonë zanore.

Mbi të gjitha të këngëtarit Shervin Hajipour, i cili rendit arsyet pse njerëzit luftojnë.

Ai u arrestua për shpërndarjen e këngës. Pas lirimit me kusht është distancuar nga përdorimi “i pahijshëm” i këngës së tij nga persona të paspecifikuar që jetojnë jashtë vendit.

Por tani vajzat e këndojnë këngën në shkollë nga njëri cep i Iranit në tjetrin.

“Një mik në Iran më thotë se të gjithë e kanë në makinë, është një garë për të parë kush e vë më shumë”, ka treguar Saeed, i cili me Leila-n e Pejman-in është një nga tre anëtarët e Bowland, grupi iranian në Firence.

Nuk mungojnë as këngët e vjetra të protestës, si ajo e zgjedhur nga Bowlands për të shoqëruar një video të tyren me imazhe të demonstratave.

Përngjan me “Bella Ciao”.

Flet për partizanët dhe revoltën kundër diktaturës. Quhet “Sar oomad zemestoon”, ndryshe dimri ka mbaruar.

Ajo u këndua në rrugë gjatë revolucionit të vitit 1979 dhe më pas gjatë Lëvizjes së Gjelbër në vitin 2009.

“Dimri ka mbaruar, pranvera është në lulëzim”. Por dimri nuk mbaron kurrë.

Bowland e ka shmangur përherë politikën, për të pasur më pak probleme. Për të parën herë ata po ekspozojnë veten me muzikën e tyre “për t’u dhënë zë njerëzve që po luftojnë në Iran”.

“Protestat nëpër shkolla janë diçka që nuk është parë më parë. Ata janë vërtet të guximshëm”, ka thënë Pejman për vajzat e djemtë e rinj atje.

Kurse anëtari tjetër i grupit e ka cilësuar protestën si produkt të shumë problemeve prej vitesh tanimë.

“Është e vërtetë që ishte vdekja e Mahsa Amini-t që nxiti protestat, por ka shumë arsye, inflacioni, problemet ekonomike, sanksionet, një situatë e tensionuar prej vitesh, e cila në fund shpërtheu në një protestë tërthore”, ka dalluar Saeed.

Një tjetër melodi e vjetër e rikthyer në Instagram është “Shab Navard” e Mohammad-Reza Shajarian, ndryshe kush ecën natën.

Një këngë e papëlqyer nga regjimi për mbështetjen e Lëvizjes së Gjelbër që flet për një “vajzë që pikon gjak”, si Mahsa Amini.

Për iranianët, duket se muzika që godet është e mjaftueshme për të protestuar.

“Herë pas here njerëzit shkojnë me makina për të krijuar trafik dhe, kur policët mbërrijnë dhe shohin makinat teksa i bien borive në shenjë proteste, ata u heqin targën”, ka treguar Saaed.

Kjo nënkupton që ata nuk mund të qarkullojnë më me makinë pa shkuar fillimisht te autoritetet. Dhe kjo hap telashe të tjera.

Megjithatë, pa zgjidhje nuk ka qenë.

“Kur këta policë vinin në grup nga njëra anë e rrugës, njerëzit i ndalnin borinë. Në anën tjetër, nisnin boritë e makinave të tjera. Kur agjentët drejtoheshin për atje, boritë nisnin aty ku ata ishin në fillim”, ka treguar ai.

Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore