Sport

E dhimbshme, Lirim Zendeli largohet nga Formula për shkak të problemeve financiare


Lirim Zendeli, piloti i Formula 2 me origjinë shqiptare

Lirim Zendeli ka bërë të ditur se ai është i detyruar të largohet nga Formula 2 për shkak të problemeve financiare.

Nëpërmjet një shkrimi në rrjetin social Facebook, Zendeli tha që për të aktualisht është e pamundur të vazhdohet në Formula 2.

Garuesi me origjinë shqiptare ishte një ndër pilotët më të talentuar të sportit më të shpejt në botë, dhe kishte gjasa reale që dikur të bëhej pjesë e Formula 1.

Por, fatkeqësisht, atë po e ndalin problemet financiare.

“Përshendetje ndjekës, tifozë, shokë”, e nisi fjalën Zendeli.

“Fatkeqësisht kam një lajm të dhimbshëm. Po largohem para kohe”.

“Nuk do të jem në gjendje të vazhdoj në F2 më për shkak të problemeve financiare. Pandemia ka reduktuar buxhetin tim që ishte shumë i ngushtë edhe më tej”,

“Fillimisht dua t’i falënderoj sponsorët e mi nga Gjermania të cilët më kanë mbështetur dhe nuk janë arsyeja e problemit. Veçanërisht Ajdini që më ndihmoi shumë me mbulimin e disa hapësirave buxhetore për shkak se të tjerët nuk mbajtën premtimin”.

“Jam i lumtur që kisha mundësinë të garoja në F2 duke ardhur nga një familje ‘normale’ financiarisht”.

“Dua të falënderoj edhe federatën e automobilizmit që ka qenë durim plot dhe mbështetëse gjatë gjithë kësaj kohe”.

“Të largohem tani është shumë e vështirë, por do të bëj gjithçka që të gjej një mundësi për t’u kthyer në pistë sa më shpejtë të jetë e mundur”, e mbylli fjalën ai.

Zendeli ishte pilot i MP Motorsport, një nga skuadrat e fundit të tabelës në F2, por përsëri arriti rezultate të mira, duke u renditur në mesin e pikëve në disa gara.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore