Lajme

“E ardhmja ime është burgu, vdekja, ose fitimi i zgjedhjeve”


Presidenti i ekstremit të djathtë në Brazil, Jair Bolsonaro, i cili po përballet me rënie të madhe të popullaritetit, thotë se ai sheh tre alternativa për të ardhmen e tij: burgun, vdekjen ose fitimin e zgjedhjeve presidenciale vitin e ardhshëm.

Bolsonaro prej javësh ka vënë në dyshim sistemin elektronik të votimit në Brazil.

Kritikët shprehen se kjo është një fushatë e ngjashme me atë të Donald Trump për të  ngjallur dyshime në zgjedhjet presidenciale të vitit 2022 në mënyrë që të kundërshtojnë rezultatet.

Bolsonaro është pas presidentit të majtë, Luiz Inacio Lula da Silva, në shumicën e sondazheve.

Kritikat ndaj tij

Presidenti brazilian, Jair Bolsonaro, ka qenë nën presion të vazhdueshëm pas përfshirjes së tij në një aferë korrupsioni.

Bolsonaro, një populist i ekstremit të djathtë, që admiron Donald Trump, mori detyrën në janar të 2019-ës duke u zotuar të “çlirojë përgjithmonë atdheun nga zgjedha e korrupsionit”.

Megjithatë, një webfaqe e lajmeve UOL në Brazil, publikoi disa raporte që hidhnin poshtë pretendimin e Bolsonaro-s se është “një konservator me jetë të pastër”.

Një histori e publikuar nga UOL-i, përmbante regjistrime të marra nga një burim anonim, në të cilin Andrea Siqueira, motra e gruas së dytë të Bolsonaro-s, diskutoi se si vëllai i saj u shkarkua nga puna e tij në dhomat e kongresit.

Ai duhej të paguante një shifër të konsiderueshme shtetit brazilian.

Në Brazil, praktika e paligjshme me të cilën politikanët kërkojnë një pjesë të pagave të stafit të tyre njihet si “rachadinha”, një term zhargon që shqiptohet si “ndarja e pagës” ose “kthimi i parave”.

Djali i senatorit të Bolsonaro-s, Flávio Bolsonaro, ka qenë prej kohësh ndjekur nga akuza të ngjashme se ai mbikëqyri një mashtrim të tillë gjatë kohës së tij si një kongresmen i shtetit në Rio.

Avokati mbrojtës i presidentit i ka cilësuar faktet si të pavërteta.

Në mars, rivali i tij kryesor politik, ish-presidenti, Luiz Inácio Lula da Silva, u kthye përsëri në skenën politike.

Sipas sondazheve, Lula do të trondiste Bolsonaro në zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm.

Në prill, senati filloi një hetim parlamentar për përgjigjen e Bolsonaro-s ndaj pandemisë.

Bolsonaro dhe kriza e pushtetit të tij

Jair Bolsonaro, është duke u përballur me krizën më të madhe politike që nga marrja e detyrës në janar të vitit 2019. Kjo ka ardhur pasi krerët e ushtrisë, marinës dhe forcës ajrore u larguan.

Popullariteti i tij ka rënë për shkak të neglizhencës dhe keqmenaxhimit të situatës së Covid-19.

Presidenti i ekstremit të djathtë të Brazilit, i cili erdhi në pushtet dy vjet më parë, ka kundërshtuar vazhdimisht masat e karantinës, duke argumentuar se dëmtimi i ekonomisë do të ishte më i keq se efektet e vetë coronavirus-it.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore