Sport

Dzeko: Në moshën time shumë lojtarë dalin në pension


Sulmuesi i Interit, Edin Dzeko, është mburrur me vetën e tij, duke thënë se për moshën që ka, shumë lojtarë të tjerë dalin në pension.

Pavarësisht se ka 37 vjet, Dzeko ka thënë se nuk dëshiron të ndalet.

Ndërkombëtari i Bosnjës foli në një konferencë për media, ndërsa ishte në detyrë ndërkombëtare të mërkurën.

“Fakti që jam këtu në moshën 37-vjeçare tregon se sa shumë do të thotë kombëtarja për mua”, tha sulmuesi boshnjak.

“Shumë lojtarë dalin në pension në moshën time, unë luaj çdo tre ditë me klubin tim dhe nuk dua të ndalem tani”, shtoi Dzeko.

“Do të isha shumë i lumtur nëse kombëtarja fitonte rezultate të shkëlqyera dhe kualifikohej në Euro për herë të parë në histori. Në të kaluarën nuk arritëm ta bënim këtë për shumë arsye, por tani jemi këtu dhe gjithçka varet nga ne”.

“Duam ta nisim me fitore, – vazhdoi 37-vjeçari, – por duhet të japim më të mirën në fushë. Një fitore do të rriste vetëbesimin tonë përpara ndeshjeve të ardhshme, le të shohim se çfarë do të ndodhë.”

Bosnja është në Grupin J dhe këtë të enjte do të përballet me Islandën në ndeshjen e parë të eliminatoreve për Euro 2024.

Lihtesteini, Luksemburgu, Portugalia dhe Sllovakia janë në të njëjtin grup.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore