Përballje

Dzeko do ta udhëheqë sulmin e Inter-it ndaj Porto-s


Interi po përgatitet për një nga ndeshjet më të rëndësishme të sezonit kundër Porto-s dhe Edin Dzeko pritet të startojë në sulmin e italianëve në ndeshjen vendimtare të Ligës së Kampionëve.

Zikaltrit kanë një avantazh të lehtë në ndeshjen e dytë në Portugali, pasi kanë shënuar fitore 1:0 në ndeshjen e parë falë një goli nga Romelu Lukaku në “San Siro”.

Pas humbjes së fundit ndaj Spezia-s me shifrat 2:1, presioni është ende në rritje ndaj trajnerit Simone Inzaghi dhe një fitore ndaj Porto-s është një domosdoshmëri nëse ai dëshiron të ruajë besimin në kryeqytetin e Lombardisë.

“La Gazzetta dello Sport” detajon se si Inter-i ka të ngjarë të fillojë me Dzeko-n dhe Lautaro Martinez në sulm, duke e lënë Lukaku-n në stol për ndeshjen e rëndësishme të fazës së 1/8-ve të finales.

Veterani boshnjak është paraqitur shumë nën drejtimin e Inzaghi-t këtë sezon, por mund të largohet në verë kur t’i skadojë kontrata.

Bisedimet për rinovimin kanë qenë në bllokim që nga janari, kur Dzeko kërkoi një marrëveshje dyvjeçare, diçka që klubi nuk ishte i gatshëm t’ia ofrojë.

Kujtojmë që Dzeko numëron 11 gola dhe pesë asistime në 36 ndeshje të luajtura në këtë sezon me fanellën e Inter-it.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore