Ujkan Metaj, është i burgosuri i katërt brenda tre muajsh që po raportohet se ka arritur që të arratiset nga Qendra Korrektuese në Dubravë.
Për këto raportime Albanian Post ka kontaktuar edhe Sherbimin Korrektues të Kosovës dhe Policinë e Kosovës, por që deri në momentin e publikimit të këtij artikulli s’ka pranuar përgjigje.
Pas këtyre raportimeve, Sherbimi Korrektues i Kosovës (SHKK) së bashku me zëvendësministrin e Drejtësisë, Blerim Sallahu kanë thirrur konferencë për media por s’janë deklaruar rreth raportimeve për arratisjen e Ujkan Metaj.
“Ju ftojmë të merrni pjesë në konferencën për media, e cila do të mbahet në Drejtorinë Qendrore të Shërbimit Korrektues të Kosovës, nesër më 13 korrik 2024, në orën 11:00, për të diskutuar lidhur me dy largimet e fundit nga institucionet e tipit të hapur”, thuhet në njoftim e tyre.
Ujkan Metajt, është i dënuar për ndihmë në grabitjen në bankën ‘NLB’ në Istog.
Gjatë kësaj grabitjeje të armatosur në Istog, në një aksion të Policisë për qëllim të parandalimit të grabitjes ishte vrarë pjesëtari i Policisë së Kosovës, Izet Demaj.
Po ashtu i vrarë kishte mbetur edhe personi që dyshohet se ka tentuar ta grabis bankën, Kamer Metaj.
Metaj ishte shpallur fajtor dhe ishte dënuar me pesë vite burg – duke iu shtuar më pas edhe dy vite të tjera burg.
Brenda tre muajve janë arratisur Enver Sekiraqa, Faton Hajrizi dhe Marko Roshiç, që të tre të dënuar për vrasje.
I fundit që u iku është Roshiç, i cili ishte njëri nga katër të dënuarit me 10 vite burgim për vrasjen e politikanit serb nga Kosova, Oliver Ivanoviç.
Ndërkaq javën e kaluar, Faton Hajrizi i dënuar me 27 vite burgim për vrasjen e një ushtari rus u arratis nga dhoma e burgut përmes dritares.
Nga aty, Hajrizi e kaloi rrethojën e jashtme të burgut të Smrekovnicës dhe u largua për herën e nëntë.
Për këtë të fundit, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, theksoi të hënën se është çështje orësh, apo ditësh kur do të prangoset.
Gjatë muajit maj u arratis edhe Enver Sekiraqa i dënuar me 25 vjet burgim nga Gjykata Themelore e Prishtinë për nxitje në vrasjen e ish-policit Triumf Riza.
Por, shteti ende nuk ka arritur t’i bie në gjurmë se ku po fshihet Sekiraqa i mirënjohur nga bota e krimit në Kosovë.
Ndërsa, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, nuk e ka konsideruar si të arratisur Enver Sekiraqën – i dënuar me 25 vjet burgim nga Gjykata Themelore e Prishtinë për nxitje në vrasjen e ish-policit Triumf Riza, e që shteti akoma s’ka arritur t’i bie në gjurmë se ku po fshihet.
Sipas tij, Sekiraqa vetëm s’është paraqitur para drejtësisë në kohën kur duhet.
“Nuk janë tre persona të arratisur, një është arratisur. Tjerët nuk janë paraqitur para drejtësisë kur është kërkuar prej tyre. Policia e kryen punën e vet, nuk ka asnjë telashe”.
Më 23 maj, Policia e ka shpallur në kërkim Sekiraqën, duke kërkuar bashkëpunim me qytetarët për arrestimin e tij.
Kapja e Faton Hajrizit, çështje orësh apo ditësh, thotë Sveçla
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com