Lajme

Dyshohet se keqpërdorën mbi 100 mijë euro, aktakuzë ndaj tre zyrtarëve të QKUK-së


Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë për tre persona me inicialet F.H., L.J. dhe Y.K., zyrtarë të Qendrës Klinike Universitare të  Kosovës, për veprën penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”, teksa dyshohen se kanë keqpërdorur mbi 100 mijë euro për tenderin për kamera.

“Furnizimi dhe montimi i sistemit të integruar të monitorimit me kamera dhe Integrimi i sistemit të kontrollit të qasjes”, kontratë e nënshkruar në mes të QKUK-së dhe operatorit ekonomik “Artech”, tërë aktivitetin e kryer në dhjetor të vitit 2020, përfshirë pranimin e mallit, ekzekutimin e punimeve dhe pranimin teknik të punimeve, kanë nënshkruar një raport fiktiv, e që ka qenë në kundërshtim me gjendjen faktike, duke i shkaktuar dëm material në shumën prej 104 mijë e 751 euro QKUK-së”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Të dyshuarit sipas aktakuzës, në cilësinë e personave zyrtarë (IT), në QKUK, në bashkëkryerje dhe në kundërshtim me ligjin kanë shfrytëzuar detyrën zyrtare, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për veten apo tjetrin, duke mos i përmbushur detyrat e tyre zyrtare.

“Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që të pandehurit e lartcekur të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit për veprën penale e cila iu vihet në barrë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Sipas njoftimit, “po ashtu i njëjti ka propozuar që të pandehurve t’u shqiptohet dënimi plotësues i ndalimit të ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik, konform dispozitave të KPRK-së”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore