Vende

Dy vite traditë dhe argëtim në Kalanë e Tiranës


Kalaja e Tiranës I ka mbushur dy vite që nga hapja e saj, ku dukshëm ndërthuri traditën tiranase me argëtimin bashkëkohor.

Ajo u kthye shpejt në një nga pikat më tërheqëse jo vetëm për të rinjtë në Shqipëri, por edhe për turistët e huaj.

Ajo çka është vërtetë tërheqëse në këtë destinacion turistik të kryeqytetit, është fakti që  promovimi për kulturën, historinë, kulinarinë dhe artin në Shqipëri bëhet në një mjedis biznesi dhe argëtimi.

Por cila është e veçanta e kësaj kalaje, ndryshe nga kalatë e tjera në Shqipëri, që ruajnë pjesën e trashëgimisë historike.

Së pari kalaja dhe ambienti brenda saj janë pronë e trashëguar e familjes Toptani, që e shndërruan në dy vitet e fundit në një atraksion turistik, por jo vetëm, edhe në një “Çarshi” të qytetit, ndërsa është një ndër monumentet unike historike që “bashkëjeton” edhe me modernen dhe trendet e reja të zhvillimit.

Toptani, CEO e Kalasë së Tiranës, tregon se turistët kanë më shumë kureshtje për kulinarinë, sidomos gatimet tradicionale, por edhe për pjesën historike.

“Kanë qenë turistë që vinin dhe me grupe, por kanë ardhur edhe vetë sepse këtu kemi një favor të pozicionimit dhe mendoj se është bërë një ansambël shumë i mirë, ku turistëve iu jep komoditet”, shprehte CEO e Kalasë së Tiranës.

Nga ana tjetër ambienti është një vend që frekuentohet edhe nga të rinjtë, të cilët përveçse shijojnë gatimet apo muzikën, njihen dhe me historinë e kalasë, por edhe me historinë e vendit, pasi hapen edhe ekspozita me dokumente arkivore dhe fotografi të periudhave të ndryshme historike.

Janë të shumtë ata vizitorë të huaj që nuk largohen nga Tirana pa vizituar kalanë, duke u njohur me historinë, artin, kulturën, kulinarinë, por edhe duke promovuar në vendet e tyre kryeqytetin e Shqipërisë si një destinacion turistik.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore