Shqipëria

Dy vdekje, një datë; Paralele dhe diagonale midis Zogut dhe Philip-it


Data 9 prill shënoi vdekjen e princit Philip, bashkëshortit të mbretëreshës më jetëgjatë në fronin britanik – Elizabetës së II-ë.

Por, për shqiptarët, 9 prilli shënon edhe një datë tjetër historike – vdekja e mbretit Zogu i I-ë.

Dy jetë, që të përbashkët, kanë vetëm paralelin e aspektit mbretëror, pasi qasja ndaj fronit dhe pushtetit, është radikalisht e kundërt!

Mbreti Zog i I-i, e kërkoi pushtetin në çdo mënyrë. Fillimisht si kryeministër i Shqipërisë. Nga dhjetori i 1922-shit deri më shkurt 1924.

Më pas si president, nga shkurti 1925 deri më shtator 1928. Së fundmi, si mbret për 11 vjet, nga shtatori 1928 deri më prill 1939.

Princi Philip nga ana tjetër, është një personazh tërësisht i tërhequr në jetën e tij monarkike. Figura e tij ishte thjesht një mbështetje, një krah i shtuar i Elizabetës së II-ës. Një personazh që ngjallte simpati në popull dhe siguri në pallatin mbretëror.

Të dy me prejardhje ushtarake, ata do të synonin karriera të ndryshme – Njëri atë të pushtetarit dhe tjetri atë të “antipushtetarit” – një personi të tërhequr nga vendimmarrja, por aktiv në bamirësi dhe organizime të ndryshme.

Një mbret dhe një burrë i parë i shtetit!

Të dy personazhet kanë prejardhje ballkanike. I pari i lindur në Burrel, ndërsa tjetri, në Korfuz. Gjithsesi, pak e dinë prejardhjen mbretërore të Philip-it.

Por, ndryshe nga Zogu, familja e Philip-it zgjodhi të ikë nga Ballkani drejt Francës, më pas në Gjermani dhe përfundimisht në Britani. Aty, ku Philip-i njohu Elizabetën, të cilës i qëndroi besnike deri në vdekje.

Aty nga ku Philip-i ka prejardhjen, Zogu i I-ë shkoi pasi u dëbua nga Shqipëria. Greqia ishte strehimi i mbretit shqiptar fillimisht. Më pas Egjipti e më tej akoma Franca. Në vitin 1961, ai u nda nga jeta në moshën 65-vjeçare.

Ndërkohë që Zogu la pas një histori të turbullt dhe të interpretueshme në shumë këndvështrimi, Philip-i lë pas një jetë të qetë, pa trazira. Një figurë të nderuar për mos rënien pre të pushtetit dhe qëndrimit të përkushtuar ndaj Elizabetës.

Dy figura madhore në dy histori të dy vendeve të ndryshme. Dy vdekje aspak të ngjashme, në natyrë dhe në histori. Dy figura, të cilat nuk janë të ngjashme në thuajse asnjë aspekt, përtej atij mbretëror.

Dy figura, të cilat bashkohen nga një datë – datën e prehjes së tyre – 9 prillin, por në dy vite të ndryshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore