Lajme

Dy të vrarë në Indi nga protestat kundër komenteve për Profetin Muhamed


Policia indiane qëlloi për vdekje dy demonstrues të premten e 10 qershorit gjatë protestave anembanë vendit.

Këto, të shkaktuara nga komentet e një zyrtari të partisë në pushtet për Profetin Muhamed.

Lajmi u bë i ditur nga Agjencia Franceze e Lajmeve, duke cituar një oficer indian.

“Policia u detyrua të hapte zjarr për të shpërndarë protestuesit dhe plumbat goditën disa prej tyre, duke rezultuar në vdekjen e dy personave”, i tha AFP-së një oficer policie nga qyteti lindor Ranchi.

Autoritetet e Arabisë Saudite dënuan dhe denoncuan më herët deklaratat e zëdhënëses së Partisë Bharatiya Janata (BJP).

“Ministria e Punëve të Jashtme shprehu dënimin dhe denoncimin e deklaratave të bëra nga zëdhënësja e Partisë Indiane Bharatiya Janata (BJP), duke fyer Profetin Muhamed, paqja dhe bekimi qofshin mbi të, dhe rikonfirmon refuzimin e përhershëm të paragjykimit ndaj simboleve. të fesë islame, krahas të gjitha figurave dhe simboleve fetare”, raporton agjencia shtetërore e lajmeve SPA.

Partia qeverisëse e Indisë BJP pezulloi zëdhënësen e saj Nupur Sharma për komentet e saj për Profetin Muhamed.

Shtetet e Gjirit, Katari dhe Kuvajti kishin thirrur ambasadorët e tyre indianë.

Doha zyrtare sakaq i kërkoi qeverisë indiane të kërkojë falje publike për komentet e Sharma-s.

Sharma u shpreh në Twitter se komentet e saj kishin qenë në përgjigje të “fyerjeve” të bëra kundër perëndisë hindu Shiva.

“Nëse fjalët e mia kanë shkaktuar shqetësim apo lënduar ndjenjat fetare të dikujt, unë e tërheq pa kushte deklaratën time”, theksoi zëdhënësja.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore