Lajme

Latifi: Shumica e të infektuarve me Omicron, masat rishikohen çdo javë


Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi.

Dy persona që po trajtoheshin në Klinikën Infektive si pasojë e infektimit me COVID-19, kanë vdekur gjatë ditës së mëkurë në Kosovë, më 26 janar.

Kjo është konfirmuar nga deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj.

“Ne mbi 80% te rasteve i kemi të detektuar pas pesë ditëve, dhe mund të presim një rritje të madhe. Tre ditët e fundit i kemi katër të vdekur. Sot janë dy në Klinikën Infektive që kanë vdekur”, deklaroi Dreshaj.

Ndërsa, ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ka thënë se numri më i madh i të infektuarve në Kosovë është me variantin Omicron, ndërkaq numri i atyre që kërkojnë kujdes në spital është i menaxhueshëm.

“Numri i atyre që kërkojmë në spitale edhe është i ulët dhe i menaxhueshëm ne jemi në vlerësim në çdo orë situatën e përgjithshme kapacitetet humane dhe infrastrukturën spitalore të atyre që kërkojnë ndihmë në spital”, deklaroi Latifi.

Ai gjithashtu ka bërë të ditur se çdo të enjte mblidhet Komiteti për vlerësimin e situatës me pandeminë, ndërsa tha se aty diskutohen edhe masat antiCOVID-19.

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi.

Ai bëri të ditur se për personelin mjekësor të infektuar kanë ndërruar strategji rreth kthimit në punë, pasi sipas tij punëtorët shëndetësorë të cilët brenda pesë dite nuk kanë shenja klinike të infeksionit atëherë mund të kthehen në punë.

Duke folur për masat, ministri Latifi theksoi se, “vendimet për masa merren pas konsultimit me të gjithë hisedarët”.

Në anën tjetër, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj potencoi se infeksionet respiratore nuk ndalohen me polici në kufi, ndërkaq theksoi se në spitale ka filluar një lloj relaksimi, ku nuk po mbahen as doreza e maska.

“Ka disa shqetësime që duhet t’i vendosim këtu. Karakteristik e përgjithshme deri sot është reagimi i vonë ndaj situatës, ndërsa kisha dashur që kjo të jetë hera e fundit që pasi të ngrihet shqetësimi, ne duhet të veprojmë. Të gjitha vendet ishin me Omicron një muaj para neve, e nuk ndalet virusi me masa në kufi”, tha Dreshaj.

Lidhur me këtë ministri i Shëndetësisë tha se ai kur shkon në klinika nuk sheh relaksim dhe sipas tij ende nuk ka hapësirë për t’u relaksuar.

“Ne jemi në mes të listës, më dallim i theksuar është edhe me numrin e testeve që po i bëjmë, në rajon radhitet e dyta me numrin e testeve dhe detektimin e rasteve”.

Dreshaj, gjithashtu tha se punëtorët shëndetësorë po brengosen edhe për paga.

Ndërkaq, ministri ju përgjigj duke thënë se pajtohet, “por se Ligji i pagave është çështje tjetër dhe është në procedurë e sipër”.

Komisioni për Shëndetësi.
Opozita largohet nga mbledhja e Komisionit për Shëndetësi

Pasi është larguar nga mbledhja e Komisionit për Shëndetësi, ministri Rifat Latifi, janë larguar edhe deputetët e opozitës.

Fatmire Kollçaku nga Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë që po shihet që ish-ministri Armend Zemaj e ka të gjithën politike.

“Ish ministri po largohet se nuk po mundet me dalë nga petku i ministrit. Sa zor me pasë një deputet, që ka qenë ministër”.

“E ka veç politike, jo që e ka interesimin. Siç po shihet ish ministri kur dalim tek e vërteta për qysh o gjendja me qytetarë – ai mo nuk ka interes”, ka thënë Kollçaku gjatë mbledhjes.

Pas deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, nga mbledhja është larguar edhe Bekim Haxhiu i Partisë Demokratike të Kosovës dhe Floreta Zejnullahu e PDK-së.

Kosova po vazhdon të përballet me rritjen e rasteve me COVID-19. Vetëm më 25 janar në Kosovë kanë humbur jetën dy persona dhe janë shënuar dy mijë e 500 persona të infektuar me COVID-19.

Kosova ka nisur fushatën e vaksinimit kundër COVID-19 në mars të vitit 2021.

Prej atëherë janë dhënë mbi 1.7 milion doza të vaksinës.

Deri më tani, me dy doza të vaksinës janë imunizuar 799 mijë e 939 persona apo 44.5 për qind e popullsisë.

Qytetarët në Kosovë mund të marrin vaksina të kompanive: Pfizer/BioNTech dhe AstraZeneca.

Doza përforcuese e vaksinës mund të merret pas tre muajve të marrjes së dozës së dytë.

Qeveria e Kosovës ka miratuar të premten, 21 janar, masa të reja për luftim të pandemisë.

Sipas vendimit të Qeverisë, qytetarët që hyjnë në Kosovë duhet të jenë të vaksinuar plotësisht dhe të kenë edhe dozën përforcuese.

Ata që nuk kanë dozën përforcuese, duhet të kenë test negativ të llojit PCR, të vlefshëm për 48 orë.

Kufizimi i qarkullimit do të aplikohet nga ora 22:00 deri në orën 05:00.

Bizneset e gastronomisë mund të zhvillojnë aktivitetin e tyre nga ora 05:00 deri më 21:00.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore