Shqipëria

Dy sheshe, një qëllim – Fushata është zyrtarisht e hapur


Dy, do të jenë sheshet kryesore të Tiranës në të cilët dy partitë më të mëdha në vend, ajo Socialiste dhe ajo Demokratike, do të ndezin motorët e fushatës elektorale 2021. Numërimi mbrapsht drejt 25 prillit, nis zyrtarisht sot.

Sheshi “Skënderbej” është i përzgjedhuri i socialistëve për nisjen e fushatës. Ai “Nënë Tereza” ndërkohë, do t’i përkasë demokratëve 25 marsin e fillimit të fushatës.

Të dy partitë më të mëdha në vend kanë zgjedhur kryeqytetin si pikënisje. Gjithë vendi, do të shëtitet më pas nga kandidatët, në zgjedhje krejtësisht të pazakonta, nën rregulla të variueshme pandemie.

Me vendimin e Komitetit të Ekspertëve, grumbullimet e mëdha nuk lejohen. Një vendim i Gjykatës Kushtetuese nga ana tjetër, i bën të mundura grumbullimet e mëdha prej 25 marsit.

Situata mbetet e paqartë nëse do të ketë shumë të pranishëm në takimet hapëse elektorale apo jo.

Partitë e tjera, ende nuk e kanë zyrtarizuar agjendën e tyre fillestare.

Çfarë duhet të kemi parasysh për zgjedhjet e 25 prillit?

Ky vit është i pazakontë. Pandemia e Covid-19 ka lënë shumë hapësira të paqarta për mënyrën si mund të zhvillohen fushatat zgjedhore. Për shkak të mungesës së grumbullimeve të mëdha, fushatat digjitale janë ato më të volitshmet.

Disa prej partive kanë filluar tashmë të dërgojnë mesazhe elektorale tek votuesit. Shumë qytetarë kanë vënë në dijeni Albanian Post, se “mesazhe nga persona të lidhur me partitë kanë filluar të vijnë në numrat e tyre pavarësisht se fushata ende nuk ka nisur”.

Nuk bëhet me dije ndërkohë, mënyra si partitë i sigurojnë këto numra telefonikë.

Mediat sociale të kandidatëve po ndezin motorët gjithashtu. Fushatat digjitale kanë treguar prej kohësh shkallën e lartë të suksesit. Që prej mandatit të parë të Obamës, mediat sociale si Facebook-u, Instagram-i etj., janë përdorur për fushata.

Sipas gjithë studimeve, kandidatët më të suksesshëm në media sociale janë edhe fitues të zgjedhjeve në realitet.

Një tjetër aspekt interesant është shpërndarja e buxhetit të këtij vitit. Dy partitë më të mëdha kanë marrë edhe shumat më të mëdha të fondeve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Kështu, socialistët përftuan 55.8 milionë lekë, demokratët 33.3 milionë lekë, Lëvizja Socialiste për Integrim 18.9 milionë lekë dhe Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, 5.5 milionë lekë. Partitë e tjera vijojnë me shuma më të vogla.

Sistemi zgjedhor

Dy ndryshimet kryesore të sistemit zgjedhor të këtij viti do të jenë ndryshimi i mandateve dhe mos lejimi i koalicioneve parazgjedhore.

Kukësi dhe Gjirokastra humbin nga një mandat në zgjedhjet e vitit 2021. Kjo, për shkak të tkurrjes së popullsisë në këto dy qarqe. Këto, i shton të dy kryeqyteti, duke shkuar në 36 mandate tërësore nga 140. Kjo përbën çerekun e të gjithë mandateve.

Për këtë ndryshim, Tirana merr një peshë akoma më të shtuar të përcaktimit të zgjedhjeve. Nga kjo, mund të përfitojnë partitë e mëdha. Surprizat nga partitë e vogla apo kandidatët e pavarur, mbeten të mundshme.

Mos lejimi tashmë me ligj i koalicioneve parazgjedhore, i bën partitë të kandidojnë më vete, ose me listë të përbashkët. Si pasojë, dy aleatë si PD-ja dhe LSI-ja, zgjodhën që frontin opozitar ta ndanin në dysh, duke garuar më vete.

Socialistët nga ana tjetër, kishin deklaruar që më parë se do të garonin të vetëm, pas katër viteve qeverisje të vetëm.

Por, demokratët, do të kenë pjesë përbërëse të listës edhe kandidatë nga aleatët e tyre. Një pjesë e mirë madje, zënë vende të sigurta në listat e partisë së dytë më të madhe në vend.

Cili është percepsioni?

Gjatë muajve të shkuar shumë sondazhe kanë qarkulluar në Shqipëri për perceptimin mbi zgjedhjet e 25 prillit. E vetmja gjë që i bashkon të gjithë, është një rënie e ndjeshme e LSI-së në përqindje.

Nga sondazhet e Albanian Post në tre qarqe, LSI-ja bie në mënyrë drastike. Nga ana tjetër, socialistët fitojnë terren. Demokratët gjithashtu, por mbeten sërish pas.

Berat, LSI-ja thuajse zhduket sipas sondazhit. Partia Socialiste fiton rreth 13 pikë përqindje. Gjashtë pikë i fitojnë edhe demokratët. Socialistët e qendrës ndërkohë tkurren në vetëm 2.6%.

Largimi i eksponentëve të lartë, si ai i Nasip Naços, nga LSI-ja drejt PS-së, mund të japë efekt në rënien e votës për partinë e kryesuar nga Monika Kryemadhi. kjo e fundit gjithsesi, arriti të rekrutojë Lefter Maliqin në radhët e LSI-së, në përpjekje për të kompensuar humbjet e tjera.

E njëjta histori në Elbasan, ku socialistët shfaqen të qëndrueshëm në sondazh ndërsa LSI-ja bie ndjeshëm në votë. PD-ja mbetet në nivelin e vitit 2017.

Qarku i Tiranës vazhdon të njëjtin trend. Sondazhi i Albanian Post nxjerr me 53% fituese PS-në. PD-ja mbetet në 20.5% ndërsa LSI-ja në 1.3%, duke shënjuar rënie.

Gjithsesi, numri i të pavendosurve në sondazhet paraprake mbetet i lartë. Për këtë shkak, përqindjet e votës mund të ndryshojnë gjatë muajit të fushatës.

Për të rrëmbyer pikërisht elektoratin gri, do të nisë ky rrugëtim 30 ditor drejt datës së përcaktuar, 25 prillit.

Nga dy sheshe të ndryshme, do të shkohet drejt një qëllimi të vetëm – Fitorja e zgjedhjeve 2021.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore