Shqipëria

Dy ngjarje, vetëm njëra britanike


Të enjten e 1 shtatorit prekëm nga afër atë që njihet si “përvetësim kulturor” i një vendi.

Me nisjen e javës britanike – dedikuar tërësisht kulturës – e cila kurorëzohet më 11 shtator, pamë konkretisht gjurmët e para të Britanisë në Shqipëri.

Loja e kriketit, e cila ishte ngjarja e parë e javës, u simulua me veshjet karakteristike të qytetarëve që e kanë lojë kombëtare në Britani e gjetkë.

Kriketi u shpik në fushat e gjera të Anglisë, gjoja nga barinjtë që grumbullonin tufën e tyre.

Më vonë kjo lojë u mor nga aristokratët, për të përfituar statusin e lojës kombëtare të Anglisë.

Ngjarja më e rëndësishme e javës britanike, lidhur me interesin publik, pritet të jetë koncerti i këngëtares me origjinë shqiptare Rita Ora më 6 shtator.

Ambasadori i Britanisë në Shqipëri, Alastair King-Smith, deklaroi se “Java Britanike” do të vijë me një sërë aktivitetesh të ndryshme, të cilat nisin në Tiranë për t’u shtrirë më pas në të gjithë Shqipërinë.

Java e Kulturës Britanike sjell për publikun shqiptar një sërë aktivitetesh që kremtojnë kulturën, artin, muzikën dhe sportin britanik, në 100-vjetorin e marrëdhënieve mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë.

Sprinti i këtyre marrëdhënieve kulmoi me ngjarjen e parë të vërtetë britanike në harkun e një viti.

Edhe pse protagonistët ishin po të njëjtët (kryebashkiaku Erion Veliaj dhe King-Smith), formati ndryshonte tërësisht.

Kryebashkiaku i Tiranës mirëpriste 11 muaj më parë në një ngjarje “të përshtatur” britanike ambasadorin e sapo-emëruar të Britanisë.

Ky ishte përqafimi i radhës i kinemasë shqiptare me heroin (fiktiv) britanik të shërbimeve sekrete, James Bond.

Premiera (shfaqja e parë) e filmit nuk kulmoi me asgjë, veçse kostumeve me shkëlqim dhe këpucëve të lustruara të të ftuarve.

Në thelb, ngjarja e organizuar deri në detaje, na prezantoi me atmosferën e filmit më të famshëm britanik, por edhe me kulturën e mospërshtatjes.

“Ne po fillojmë me një nga filmat më të mirë që përfaqëson kulturën britanike, për t’i afruar sa më afër Shqipërinë dhe Mbretërinë e Bashkuar. Kjo nuk është vetëm në rangun e qeverive, por edhe për bashkimin e qytetarëve”, deklaronte asokohe diplomati britanik.

Thënë kjo, kostumografia dhe shkëlqimi i përshtatjes ranë porsa kultura e vërtetë u shpërfaq në Tiranë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore