Sport

Dy ndeshje për të dielën në Premier League


Në fundjavën e gjysmëfinaleve të FA Cup dhe funeralit të Princit Philip, nuk janë lënë anash as ndeshjet e Premier League-s.

Pas dy ndeshjeve të zhvilluara dje, sot vijnë edhe dy tjera që përballin gjigantët e futbollit ishullor me të rrezikuarit për mbijetesë.

Në orën 14:30, Arsenali pret Fulham-in në mini-derbin e Londrës.

Topçinjtë pa ndonjë qëllim real në Premier League, përballen me Fulham-in që ende shpreson në mbijetesë.

Në vendin e nëntë, skuadra e Arteta-s vjen pas fitores 3-0 në fushën e Sheffield-it. Fulham-i në anën tjetër vjen në këtë ndeshje pas katër humbjesh me radhë.

Aubameyang, Luiz, Odegaard dhe Tierney mungojnë te vendasit, kurse Cairney, Kongolo dhe Rodak mungojnë te mysafirët.

Në orën 17:00, Manchester United pret në “Old Trafford” Burnley-n.

Djajtë e kuq me mendjen te triumfi në Europa League, befasisht mund ta shohin veten tetë pikë pas rivalëve të qytetit kur kanë mbetur edhe gjashtë javë deri në fund.

Burnley e vendit të 17-të në anën tjetër tenton të thellojë edhe më shumë diferencën me Fulham-in për të qenë e qetë.

Skuadra e Solskjaer vjen në këtë ndeshje pa Jones dhe Martial, kurse Barnes dhe Brady mungojnë për Burnley-n.

Gjashtë javë para fundit, po merr formë të plot edhe një tjetër sezon në Premier League.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore