Sport

Dy futbollistë nga Kosova, bëjnë pjesë në formacionin më të mirë në Superligën e Zvicrës


Tani më shumica e klubeve zvicerane, kanë në përbërje futbollistë me prejardhje nga Kosova, madje ata vazhdimisht po bëjnë paraqitje të mira me ekipet e tyre.

Lojën e mirë që po e bëjnë kosovarët e dëshmon edhe përzgjedhja e dy prej tyre në 11-shën më të mirë të xhiros së 28-të të Superligës zvicerane.

Pa dyshim që përfaqësuesi i Kombëtares së Kosovës, Edon Zhegrova, nuk mund t’i mungojë formacionit më të mirë të kësaj jave të Superligës zvicerane.

22-vjeçari shënoi dy gola për ekipin e tij Basel, të cilët fituan në udhëtim të skuadra e Luzern me rezultat 3:4.

Andaj paraqitja e tij në këtë ndeshje, bëri që edhe Edoni të zë vend në skuadrën e javës.

Pjesë e formacionit më të mirë të javës, është edhe qendërmbrojtësi tjetër kosovar, Denis Simani, i cili luan për ekipin e Vaduz.

Ai ishte i pakalueshëm në ndeshjen që ekipi i tij e fitoi me rezultat 3:0 kundër skuadrës Sion.

Por, për dallim nga Zhegrova, Simani ende nuk është ftuar nga përzgjedhësi i Kosovës, Bernard Challanes, përkundër faktit që ai kishte deklaruar se ëndërron një ditë që të luajë për Kosovën.

Përveç Zhegovës e Simanit, paraqitje shumë të mira patën edhe futbollistë të tjerë kosovarë si në Zvicër ashtu edhe në ligat e tjera evropiane.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore