Lajme

Dy fabrika të reja marrin lejen për prodhimin e vaksinave


Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) i ka dhënë miratimin dy fabrikave të reja për të filluar prodhimin i vaksinave.

Vendimi pritet të ndihmojë në një kohë të shkurtër fushatën e vaksinimit, e cila është shfaqur problematike në Evropë. 

Në një deklaratë për shtyp, EMA u shpreh se ka autorizuar dy qendra të prodhimit të vaksinave në Holandë dhe Gjermani.

Godinat e Halix, të vendosura në Leiden të Holandës, do të prodhojnë vaksinën AstraZeneca. Kompania ka kohë që qëndron në pritje të autorizimit nga autoriteti rregullator i barnave në BE.

Vetë AstraZeneca ka bërë me dije se, autorizimi për prodhimin e vaksinës në Halix, do të bëjë të mundur nisjen e shpërndarjes së vaksinave të prodhuara aty brenda fundit të këtij muaji.

Autorizimi tjetër është dhënë për një ngrehinë të BioNTech/Pfizer në Marburg të Gjermanisë, dhe do të prodhojë vaksinën gjermano-amerikane. Nisma do të kontribuojë në ambicien e kompanisë për të prodhuar dy miliardë vaksina deri në fund të vitit.

“Autorizimi nga EMA e bën Marburgun një nga fabrikat më të mëdha të prodhimit të vaksinave në Evropë dhe në botë” thuhet në një deklaratë të BioNTech-ut.

Komisionerja Evropiane për shëndetësinë dhe sigurinë ushqimore, Stella Kyriakides, shfaqi entuziazmin për lajmin.

Në një postim në Twitter, ajo e cilësoi atë si një hap të rëndësishëm në rritjen e kapaciteteve vaksinuese të BE-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore