Sport

Dusan Tadic-i i jashtëzakonshëm, thyen rekordin e Lionel Messi-t


Futbollisti serb i Ajax-it, Dusan Tadic, ka vendosur rekord të ri në futbollin botëror. Rekordi ka të bëjë me më shumë asiste të dhuruara brenda një viti kalendarik.

Yli argjentinas, Lionel Messi, mbante deri para pak orësh rekordin. Në vitin 2011, Messi arriti në shifrën e 36 asistimeve me Barcelona-n dhe Kombëtaren e Argjentinës.

Kapiteni i Ajax-it tashmë e ka parakaluar Messi dhe ndodhet në kuotën e 37 asisteve.

33-vjeçari dha asistin te goli i vetëm i Ajax-it në kampionat, në humbjen 2-1 përballë AZ Alkmaar-it këtë të enjte dhe parakaloi Messi-n.

Tadic-i ka kryer 31 asiste për Ajax-in dhe gjashtë për Kombëtaren e Serbisë. Deri në përfundim të vitit kalendarik, ai do të ketë mundësinë të thellojë rekordin e tij.

Ajax-i do të ketë dy përballje të fundit për këtë vit. Më 19 dhjetor përballet në derbi me Feyenoord-in dhe më 22 dhjetor përballet me Fortuna Sittard-in.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore