Sport

Duka për televizionin shtetëror holandez: Të gjithë shqiptarët ndihemi krenar për organizimin e finales në Tiranë


Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, së fundmi ka folur në një intervistë për Televizionin Shtetëror Holandez, NOS, ku është diskutuar për organizimin e finales së Conference League, që do zhvillohet më 25 maj në stadiumin “Air Albania”, në Tiranë.

Duka ka treguar për median holandeze se sa krenarë janë shqiptarët për organizimin e një organizimi kaç të madh si finalja e Conference League, e cila do të luhet mes Roma-s dhe Feyenoord-it.

“Për shumë arsye, vërtetë duhet të ndihemi krenarë për organizimin e një eventi të tillë kaq të rëndësishëm në Tiranë. Shqipëria asnjëherë nuk ka pritur një event të nivelit të tillë, por edhe sepse kjo është një ndeshje historike për herë të parë. Tani përpara finales, vërtetë jam shumë i zënë, jo vetëm unë, por e gjithë Federata Shqiptare e Futbollit madje edhe shumë institucione të tjera në Tiranë janë të zëna me organizimin e finales” – thotë Presidenti Duka.;

I pyetur me shaka, se  nëse fle i qetë para një organizimi të tillë, ai përgjigjet jo. “Nuk është e thjeshtë të flesh i qetë para një eventi të tillë, sepse pa dyshim që përgjegjësia është shumë e madhe dhe duke pasur këtë përgjegjësi, pa dyshim që ekzistojnë preokupimi se mos diçka shkon keq”, shtoi ai.

Në fund të intervistës, Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit falenderon UEFA-n që i besoi FSHF-së me organizimin e një finale të tillë, teksa garanton se të gjithë njerëzit që do të jenë prezent në Tiranë, për finale, do të kalojnë mjaft mirë.

“Do të doja t’i falënderoja ata që na kanë besuar organizimin e kësaj finaleje në Tiranë, UEFA-n, Komitetin Ekzekutiv, Presidentin Ceferin, sepse shumë janë skeptikë. Pse një finale në Tiranë sepse Shqipëria është një vend i vogël apo një vend që nuk ka organizuar evente të tilla. Edhe njëherë do të doja t’i falënderoja ato dhe t’i garantoja të gjithë ata që do të vijnë në Tiranë që do të kalojnë tre ditë shumë të bukura dhe do të kënaqen me Tiranën. Do të kënaqen sepse shqiptarët janë vërtetë një popull mikpritës dhe do të presin shumë mirë, qoftë tifozët e Feyenoord, qoftë ata të Romës dhe gjithkënd”, përfundoi Duka.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore