Lajme

Dugolli: Kërcënimi i Kurtit nuk lidhet me rrjete sociale


Shtëpia e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në lagjen Tasligje

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, u kërcënua, rrjedhimisht siguria në shtëpinë e tij u shtua. Tani, Kurti dhe familja e tij ruhen nja Njësitet Speciale të Kosovës.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës dhe nënkryetari i Komisionit për Çështjet e Sigurisë, Enver Dugolli, ka thënë se nuk kanë informacione se kush e ka kërcënuar kryeministrin Albin Kurti dhe se organet e rendit po e bëjnë punën e tyre.

“Nuk kemi ndonjë informacion për shkak se këto janë informacione që iu takojnë organeve të sigurisë të cilat besoj se janë në krye të detyrës”.

Dugolli ka treguar se “përmes rrugëve operative me siguri që kanë marrë informacion dhe e kanë ngritur edhe nivelin e sigurisë. Kjo është detyrë ekskluzive e njësiteve të policisë dhe mbrojtjes së afërt të cilët në bazë të informacioneve e ngritin shkallën e nivelit të sigurisë”.

“Nuk kemi ende ndonjë informacion zyrtar se prej nga ka ardhur kërcënimi. Organet e sigurisë po e trajtojnë në mënyrë të duhur”.

“Kryeministri është mirë dhe po i kryen detyrat e veta, gjithashtu edhe organet e rendit po e kryejnë punën e tyre. Është çështje që po trajtohet dhe organet kompetente janë duke zhvilluar procedurat e identifikimit, verifikimit dhe hetimit të saktë të asaj që ka ndodhur”.

“Mos të harrojmë që kryeministri Kurti është kërcënuar edhe më herët dhe ka qenë në publik. T’ia lëmë organeve përgjegjëse që në momentin që ata konsiderojnë se duhet të ketë një informatë edhe për publikun me siguri se do të thuhet”.

Deputeti i Kuvendit, Enver Dugolli dhe Kryeministri Albin Kurti

Dugolli, në Klan Kosova, nuk komentoi për largimin e pjesëtarëve të Njësisë Speciale të cilët ishin duke qëndruar në afërsi të shtëpisë së Kurti duke thënë se kjo është thjesht çështje operative.

“Unë këtu nuk do të lëshohesha në vlerësimin e kësaj situate më shumë për shkak se e kanë për detyrë të sigurojnë kryeministrin dhe qetësinë dhe të marrin hapat e duhur që të mos vijë deri te më e keqja”.

“Sigurisht se kanë vlerësuar që për një kohë të caktuar të jenë derisa më pas sigurisht kanë ndërruar formën e vëzhgimit dhe monitorimit. Krejt këto janë çështje operative që i takojnë policisë”.

Nënkryetari i Komisionit për Çështje të Sigurisë ka hedhur poshtë mundësinë që kërcënimi të ketë lidhje me postimet në rrjete sociale ku kërkohet “vrasja e Albin Kurtit” për një shumë të caktuar parash e të cilat tashmë janë bërë virale.

“I kam parë ato në rrjete sociale. Mund t’iu siguroj se informata për kërcënim është zbuluar dhe ka shkuar nga rrugët operative të njësiteve dhe organeve të shtetit”.

“Këto në rrjete sociale po mundohen në një formë të devalvojnë informatat dhe ngritjen e nivelit të sigurisë dhe nuk janë qëllimmira dhe nuk i kontribuojnë aspak zbardhjes së këtij rasti dhe hetimeve që po zhvillohen”.

Deputeti i Vetëvendosjes Enver Dugolli ka thënë se kërcënimi ndaj Albin Kurtit nuk ka të bëjë asgjë me politikë dhe balotazhin e 14 nëntorit.

Ai, ka thënë se nuk është Kurti ai që e ka ngritur nivelin e sigurisë por organet e rendit.

“Dikush qëllimshëm po do që ta devijojë edhe një situatë të tillë. Kryeministri Kurti nuk e ka ngritur nivelin e sigurisë, apo edhe të alarmit, por janë organet e rendit ato që kanë ngritur”.

Kërcënimi nuk lidhet as me balotazh

“Është njësiti i policisë i mbrojtjes së afërt që ka këtë detyrë ekskluzive dhe të cilët veprojnë komfor ligjit, prandaj është absurde që të thuhet një gjë e tillë. Po të pyetej Albin Kurti ndoshta nuk do t’i lejonte fare, se do të shkonte me një transport të thjeshtë edhe publik, por janë rregulla të protokollit të sigurisë për të cilat nuk pyetet Albin Kurti, as presidenti, as kryeparlamentari”.

“Janë protokolle të sigurisë të shtetit të cilat janë përgjegjës t’i zbatojnë njësitet e veçanta të mbrojtjes së afërt”.

“Nuk lidhet asgjë me balotazh. Unë personalisht gëzohem shumë që organet e rendit janë në krye të detyrës. Unë personalisht kam pas disa herë kërcënime dhe i kam raportuar, por që ende as sot s’kam informacione se deri ku ka shkuar hetimi”.

“Karshi obligimeve dhe pozicionit të kryeministrit policia po e kryen detyrën e vet dhe është lajm i mirë që shteti funksionon. Nuk duhet që të zihemi në befasi për asnjë situatë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore