Sport

Dueli i “the goat”, Ronaldo triumfon përballë Messit


Dueli i mbrëmshëm Barcelona-Juventus, nuk ishte vetëm një përballje për vendin e parë në Grupin G, të UEFA Champions League, por edhe një përballje titanesh midis dy prej lojtarëve më të mirë që ka patur historia e futbollit, Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi. Se kush është më i miri është një çështje që ha shumë debat, por që të dy janë mbi çdo lojtar tjetër, me këtë fakt pajtohen pothuajse të gjithë futbolldashësit.

Ndeshja e parë midis Juventusit dhe Barcelones më 28 tetor, të po këtij viti, përfundoj 0-2 në favor të Barcelones. Ronaldo mungoi si pasojë e infektimit me Covid-19, ndërsa Messi ishte në fushë dhe arriti të shënoj nga pika e bardhë e 11 metershit. Këtu nisën dhe ngacmimet në twitter midis faqes zyrtare të Barcelone-s dhe asaj të Juventus-it.

“Ne jemi të kënaqur që ju patë në fushën tuaj ‘the goat’”- shkruante Barcelona në twitter. Megjithatë edhe reagimi i Juventus-it ka qenë i menjëhershëm; “Ju ndoshta e keni parë atë në fjalorin e gabuar. Ne do t’ju sjellim atë të duhurin në ‘Camp Nou’”

Nga këto ngacmime rezultoj se Juventusi kishte të drejtë. Ronaldo arriti të shënoj dy gola përballë Barcelonës, në fitoren 0-3 në “Camp Nou” dhe me Messin në fushën e lojës. Dhe nuk janë thjesht dy gola, por arriti të nxjerri Juventus-in si kreun e Grupit G dhe gjithashtu në aspektin personal arriti një tjetër rekord, duke e shëndruar “Camp Nou” në stadiumin që ka shënuar 13 gola në të gjitha kompeticionet, duke e bërë stadiumin kundërshtar në të cilin ka shënuar më shumë gola.

Por, ndonëse kjo ndeshje klasike midis dy super yjeve të futbollit, përfundoi me buzëqeshjen e Ronaldos, për tifozët dhe përkrahësit e futbollit është një situatë që shikohet me “hidhërim” pasi dueli midis Ronaldo-s dhe Messi-t, sapo vjen e po bëhet më i rrallë dhe s’është çudi, duke parë edhe moshën e të dyve, që kjo të ishte përballja e fundit mes tyre.

Messi 33 vjeç dhe Ronaldo 35 vjeç, kanë qenë për mbi 10 vite në fronin më të lartë të futbollit. Statistika të frikëshme me gola, assist dhe trofe, në aspektin personal dhe me klubet përkatëse.  Messi dhe Ronaldo kanë 36 përballje me njëri tjetrin në të gjitha kompeticionet. Messi ka fituar 16 herë, nëntë barazime dhe 11 fitore për Ronaldon, ndërkohë, Messi ka shënuar 22 gola dhe ka dhuruar 12 asist, ndërsa Ronaldo 21 gola dhe një assist.

Nëse i referohemi të gjitha statistikave, jo vetëm atyre përballë njëri-tjetrit, Messi ka luajtuar 887 ndeshje në total, klub dhe kombëtare, ku ka arritur të shënojë 712 gola, 300 asist dhe ka fituar 35 trofe. Ronaldo ka luajtur 1030 ndeshje, ka shënuar 752 gola, 221 asist dhe ka fituar 32 trofe. Në Champions League, Ronaldo është golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave, me 134 gola në 174 ndeshje. Ndërsa, pas tij renditet Messi me 118 gola në 147 ndeshje. Me kombëtaren Ronaldo ka arritur të shënoj 102 gola në 168 paraqitje, duke u renditur i dyti me vetëm shtatë gola pas iranianit Ali Daei (i tërhequr nga futbolli) në listën e futbollistëve me më shumë gola me kombëtaret e tyre, kurse Messi, me Argjentinën ka realizuar 71 gola në 142 paraqitje.

Messi është gjashtë herë fituesi i “Topit të Artë” dhe pesë herë është renditur në vend të dytë, kurse Ronaldo e ka fituar pesë herë dhe gjashtë herë është renditur i dyti në listë.

Shifrat janë të jashtëzakonshme, ashtu si edhe karriera e të dyve. Se cili është më i miri, zor se do të jepet ndonjë herë përgjigja e saktë, por një gjë është e sigurt, kush jetoj në epokën e tyre e ka shijuar në maksimum futbollin dhe përballjen mes tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore