Sport

Dubai ATP/ Djokoviç kthehet të luaj, Murray dhe Ciliç kërkojnë fitoren


Fillon sot në Dubai, ATP 500.

32 nga tenistët më kualitativë në botë, kërkojnë që të fitojnë këtë ATP 500, që mund të jetë vendimtar për të renditjen botërore të ATP.

Në aksion do të kthehet Novak Djokoviç, që mungoi për shkak të problemeve ligjore në Grand-Slamin e parë të vitit në Australi.

Tenisti serb, turneun në Dubai e ka fituar pesë herë deri tani në karrierën e tij, kurse me triumfe në tokën e fortë udhëheq Roger Federer.

Në ATP 500 Dubai, kampionë janë shpallur edhe Rafael Nadal e Andy Murray, ndër të tjerë.

Edhe ky i fundit do të marrë pjesë në këtë turne.

Gjatë të hënës, zhvillohen pesë takime.

Ndeshja e parë zhvillohet mes çekut numër 123 në botë, Jiri Vesely dhe numrit 24 në botë, kroatit Marin Ciliç.

Dy orë më vonë, takimin e tyre e zhvillojnë numrin 44 në botë, Filip Krajinoviç dhe numri 297 Malek Jaziri.

Një ndeshje mjaft interesante zhvillohet mes David Goffin dhe Taro Daniel.

Mirëpo, dy ndeshjet më të rëndësishme të ditës janë rezervuar për në fund.

Me fillim në orën 16:00, Andy Murray, aktualisht numër 89 në botë, kërkon rikthimin e madh, në ndeshjen që do ta zhvillojë përballë australianit Christopher O’Connell.

Murray, disa herë kampion i grand-slams, nuk ka kaluar një periudhë shumë të mirë viteve të fundit – dhe shpreson që 2022-ta të jetë viti i rikthimit të madh.

Djokoviç, pas episodeve të dyshimta në Australi, ku iu ndalua pjesëmarrja për shkak të mos vaksinimit, kërkon rikthimin te trofetë në ATP Dubai.

Tenisti serb, rrugën e tij e nis përballë italianit numër 58 në botë, Lorenzo Musetti.

Përveç dyshes së lartëpërmendur, në këtë turne marrin pjesë edhe finalistët e Australian Open, Daniil Medvedev dhe fituesi Rafael Nadal, e poashtu edhe greku Stefanos Tsitsipas.

Lufta për 500 pikët e Dubai-t, pritet të jetë shumë e ashpër gjatë këtij viti.

Turneu fillon sot më 21 shkurt, kurse përfundon të dielën me datë 27 shkurt.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore