Shqipëria

Dua mirënjohëse


Këngëtarja me famë ndërkombëtare, Dua Lipa, ka shprehur përmes medias sociale, Twitter, mirënjohjen e saj për “mikpritjen e ngrohtë”, siç shkruan ajo, që iu ofrua gjatë vizitës në Tiranë.

Dua falenderon edhe Kryeministrin Edi Rama, Kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj dhe Ambasadën Amerikane në Tiranë.

Gjatë takimit me kryeministrin Rama, ky i fundit postoi një foto me të me përshkrimin: “brenda meje mbeti gjurma e vajzës së mençur, të edukuar e modeste”.

Më tej, ai e cilëson “DUA LIPA” artiste që ka kapur qiellin e botës muzikore dhe se s’ka nevojë për asnjë koment, ndërsa për “Duan si vajzë”, i dedikon disa fjalë në shenjë vlerësimi.

Në takimin me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, ata u drejtuan për në Kopshtin Nr.42, i cili pësoi dëmtime nga tërmeti i 26 Nëntorit 2019.

Ajo i është bashkuar nismës së Bashkisë së Tiranës “Adopto një kopsht”.

Këngëtarja me famë botërore do të financojë restaurimin e plotë të këtij kopshti, me kapacitet 300 fëmijë, ndërsa vijojnë punimet për restaurimin e tij.

Më herët, në mjediset e Bashkisë së Tiranës, Veliaj dhe këngëtarja shkëmbyen dhurata simbolike mes njëri-tjetrit.

Veliaj i ka dhuruar këngëtares një targë simbolike “Dua 100”, si dhe kapelën, simbol i “gruas tironse”.

“Dua është një super yll jashtë skene, po aq sa në të”.

Këto janë fjalët e Ambasadores së SHBA-ve në Shqipëri, Yuri Kim, pasi ka darkuar me këngëtaren shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, ku kjo e fundit ka zhvilluar një vizitë të beftë në Tiranë.

“Bisedë e mrekullueshme mbi njohjen e fuqisë dhe përgjegjësisë që të gjithë ne kemi (edhe nëse ende nuk e kemi shfaqur atë)”, shkruan ambasadorja në një postim në Instagram.

Sipas saj, qasjet si e Dua-s, e bëjnë botën një vend më të mirë. Këtë, mund ta bëjë çdokush në mënyrën e tij.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore