Film

Dua Lipa, Rita Ora, Majlinda Kelmendi e të tjerë të suksesshëm – urojnë Kosovën për Pavarësi


Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e ka publikuar videon e saj përgëzuese për nder të përvjetorit të 14-të të Pavarësisë së Kosovës, ndërsa pjesë e saj ishin figurat më të suksesshme në art, kulturë dhe sport, përfshirë, këngëtaret, Dua Lipa e Rita Ora si dhe xhudisten, Majlinda Kelmendi.

E para në radhë në videon e publikuar nga MKRS-ja, është ylli i hitit “Levitating”, Dua Lipa, e cila ka thënë se shqiptarët janë të formuar që gjërat t’i bëjnë me dashuri dhe pasion.

Dua Lipa.

“Gjithçka e bëjmë me dashuri dhe pasion sepse kështu jemi të formuar. Sfidat që kishim, ato me të cilat ballafaqohemi dhe krenaria për identitetin tonë na bën më të fortë se kurrë, ndërsa i tregojmë botës se kush jemi përmes artit, kulturës dhe sportit”, ka thënë Lipa.

Dua, e ka përmbyllur pjesën e saj duke uruar në gjuhën shqipe festën shtetërore – “Urime ditëlindjen e 14-të Kosovë, të dua shumë”.

Ndërsa, ylli i hitit “Shina ya light”, e nisi videon e saj pak më ndryshe – ajo fillimisht u prezantua në gjuhën shqipe duke thënë “Unë, jam Rita Ora. Urime Dita e Pavarësisë”.

Rita Ora.

“Si Ambasadore e Kosovës e shoh shumë të rëndësishme ta festojë këtë ditë, ka aq shumë domethënie për në, shpresoj që të gjithë të keni një ditë të mrekullueshme”, ka thënë tutje, Ora.

Pjesë e videos ishte edhe Kampionja Olimpike në xhudo, Majlinda Kelmendi, e cila po ashtu uroi Kosovën në Ditën e Pavarësisë.

Majlinda Kelmendi.

“Të punojmë mshumë dhe të na shtohen sukseset në çdo fushë. Urime pavarësinë të gjithë shqiptarëve kudo që janë”, ka thënë Kelmendi.

Nga medalistet olimpike, Kelmendi nuk ishte e vetmja që bëri pjesë në urimin e MKRS-së – në veshjen me simbole të Kosovës, në vidoe u shfaqen edhe xhudistët, Nora Gjakova e Distria Krasniqi.

Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi.

“Bashkë po rritemi dhe Kosovën tonë po e bëjmë të njohur në të gjithë botën. Urime Kosovë”, thanë Gjakova e Krasniqi.

Në nder të ditëlindjes së 14-të të Pavarësisë së Kosovës, urimi nuk ka munguar as nga regjisorja e filmit “Zgjoi”, Blerta Basholli, e cila nisi duke thënë – “Urime Kosovë pavarësinë. 14 vjet shtet”.

Blerta Basholli.

“Viti i kaluar ka qenë i jashtëzakonshëm për kinematografinë në Kosovë. Uroj që vitet e ardhshme të jenë edhe më të suksesshme”, ka thënë mes tjerash Basholli.

Regjisori i filmit “Pa vend”, Samir Karahoda, ka qenë po ashtu pjesë e këtij urimi, ndërsa ka thënë – “Vitin që lamë pas, ishim pjesëmarrës në ngjarjet më të mëdha të filmit në botë. Në shumicën prej tyre edhe triumfuam”.

Samir Karahoda.

“Prandaj, kjo është dëshmia më e mirë që me punë edhe nga vendi jonë i vogël mund të dalin gjëra të mëdha. Urime Ditën e Pavarësisë”, ka thënë Karahoda.

Skitarët, Kiana Kryeziu dhe Albin Tahiri ishin ata që e përmbyllën videon përgëzuese nga Beijingu i Kinës.

Kiana Kryeziu dhe Albin Tahiri.

“Ju urojmë Ditën e Pavarësisë së Kosovës. Rroftë Kosova”, thanë dyshja, Kryeziu e Tahiri.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore