Shqipëria

Dua Lipa përmbyll epokën “Future Nostalgia” në zemër të Tiranës


Një pritje krejtësisht madhështore nga publiku shqiptar, i cili u duk tërësisht i etur për të parë në skenën e madhe yllin e muzikës pop, këngëtaren shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, e cila me energjinë që e karakterizon dhe përuljen ndaj publikut të saj, mbylli epokën e albumit “Future Nostalgia”.

Një album ky i vlerësuar masivisht nga dashamirësit e muzikës së saj në gjithë botën, i cili ka rrokur edhe çmimet Grammy si albumi më i mirë pop, për vitin 2021.

Me një pjesëmarrje masive, në skenën e improvizuar në sheshin Skënderbej, qytetarja më e re shqiptare – pasi mori shtetësinë nga presidenti Bajram Begaj – e nxiti edhe më tej festën e Pavarësisë së Shqipërisë, me këngët më të dëgjuara të saja nga albumi.

Hite muzikore si “Physical”, “Don’t Start Now”, “Break my Heart”, “Love Again” apo “Pretty Please”, i dhanë jehonë gjithë sheshit me pjesëmarrësit aty.

Teksa, zhurma e madhe, nuk u ndal veç në Tiranë, por edhe virtualisht në rrjet.

Në fakt, ndjekësit e saj në gjithë botën, janë mahnitur me pritjen që këngëtares i është bërë në Tiranë, ku jo të paktë kanë qenë ata, të cilët kanë publikuar pamje nga organizimi.

Të tjerë, me komente prekëse, kanë kujtuar se si ky koncert shënjon edhe fundin e një epoke shumë të suksesshme si “Future Nostalgia”. Ndërsa, më tej, ka edhe nga ata, të cilët po projektojnë në mendjen e tyre që tani sukseset e ardhshme të artistes, me krijimtarinë e saj të pritshme muzikore.

Kantautorja shqiptare e zgjodhi Tiranën dhe datën e shënuar të 28 nëntorit për të përmbyllur epokën e “Future Nostalgia” edhe si një simbolikë e bukur për vetë, ditët e fundit të së cilës në Tiranë kanë qenë pa diskutim të mbushura me aktivitete dhe emocion.

Sytë ndërkohë, nuk i ka më qartazi për “nostalgjia”, por vetëm për “future”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore