Shqipëria

Dua Lipa në Tiranë: “Mburrem që kam mundësi të ndihmoj”


Krenare, pozitive dhe e gatshme për t’ju gjendur pranë Shqipërisë, u shpreh këngëtarja me famë botërore, Dua Lipa.

Në konferencën për media në Tiranë, Dua ishte e shoqëruar nga babai i saj, Dukagjini dhe kryebashkiaku, Erion Veliaj.

Mes shumë kurioziteteve për të dhe projektet që e rrethojnë qëndron dhe festivali “Sunny Hill”, detajet për të cilin këngëtarja preferoi ti linte suprizë.

Ajo nuk zbuloi detaje edhe për koncertin e mundshëm në Tiranë.

E pyetur nga gazetarja e Albanian Post, se a do të kemi një këngë në gjuhën shqipe, ajo u përgjigj se “nuk e di jam e aftë me shkrujt këngë shqip. Është diçka që kisha pas qejf me e provu”.

Ajo e cilësoi gjuhën shqipe të bukur, duke thënë se “dua të këndoj shqip, që të tjerët të shohin sesa gjuhën e bukur e kemi”.

Në fjalën e saj, këngëtarja me origjinë shqiptare tha, po ashtu, se “fokusi i saj janë të rinjtë shqiptarë”.

“Përmes koncerteve dhe nismave që bëj”, u shpreh ajo, “është një ndër fokuset që t’u hap rrugë të rinjve shqiptarë”.

Një prej nismave të fondacionit të Duas, pas tërmetit të para dy vjetëve, ishte ndërtimi i një kopshi për fëmijë por këngëtarja ka ende projekte në zhvillim.

“Kemi shumë ide dhe shumë ëndrra për të ndihmuar në çfarëdo lloj mënyre”, u shpreh ajo.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore